Mustafa priti Federica Mogherinin, diskutuan për dialogun me Serbinë

Kosova

Mustafa priti Federica Mogherinin, diskutuan për dialogun me Serbinë

Më: 26 mars 2015 Në ora: 18:01

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa,sot ka pritur në takim Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë/Zëvendëspresidente e Komisionit, Federica Mogherini.
Pas takimit, kryeministri Mustafa dhe Mogherini mbajtën një konferencë të përbashkët për medie.
Mustafa tha se kanë bisedur lidhur me proceset aktuale në Kosovë dhe proceset, të cilat janë të lidhura me integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe në proceset tjera, që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë.

"Kisha një rast të veçantë sot që të takoj dhe të bisedoj këtu në Prishtinë, me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, znj. Mogherini.
Kishim një bisedë të hapur lidhur me proceset aktuale në Kosovë dhe proceset, të cilat janë të lidhura me integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe në proceset tjera, që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë.
Orientimi euroatlantik i Qeverisë së Republikës së Kosovës, e përfaqëson vullnetin e shumicës dërmuese të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i cili orientim ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në institucionet më të rëndësishme evropiane dhe lidhjet e ngushta ekonomike që duhet t’i ketë Kosova me BE-në dhe se këto procese do të ndihmojnë që të kapërcehen vështirësitë dhe sfidat e tanishme që i kemi në Kosovë dhe të krijojmë perspektivë evropiane të Kosovës.
Ne poashtu dëshirojmë që Kosova të jetë sa më shumë në Bashkimin Evropian dhe po ashtu Bashkimi Evropian të jetë sa më shumë në Kosovë, jo vetëm në pikëpamje të përfaqësimit politik, por edhe në pikëpamje të lidhjeve ekonomike, financiare dhe lidhjeve të veçanta politike që Kosova duhet të ketë me vendet anëtare të BE-së.
Kosova është një vend i cili ka pësuar mjaft shumë nga lufta, bart pasojat e luftës edhe shkatërrimet ekonomike, edhe njerëzit që janë humbur, edhe të pagjeturit, edhe të pakthyerit.
Mirëpo, edhe përkundër kësaj, ne e kemi treguar vullnetin që përmes dialogut dhe ndërtimit të besimit të zgjidhim problemet me fqinjët, sidomos me Serbinë dhe poashtu të kemi një komunikim të hapur me komunitetet në Kosovë.
Unë mbrëmë kam biseduar edhe me kryeministrin e Serbisë, z.Vuçiq, lidhur me bashkëpunimin e ardhshëm të Kosovës dhe Serbisë dhe dy palët kemi treguar vullnet që çështjet e veçanta ose të paparashikuara, t’i zgjidhim përmes bisedave dhe përmes kontakteve të drejtpërdrejta.

Dëshiroj që para jush të falënderoj përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, znj. Mogherini, për rolin e rëndësishëm që e ka luajtur gjatë arritjes së marrëveshjes për drejtësi, e cila është një marrëveshje tepër e rëndësishme për ne dhe ajo që gëzon, është se ne në ditën e djeshme kemi filluar procesin e implementimit të kësaj marrëveshje, sepse kemi shpallur vendet e punës për gjyqtarë dhe prokurorë mbi bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës.
Kosova është poashtu e gatshme të ballafaqohet edhe me kërkesën për themelimin e dhomave të veçanta të gjykatës dhe dëshmon se nuk ka frikë të ballafaqohet me të kaluarën, sepse të gjithë ne jemi të përkushtuar për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe pushtetit të ligjit.
Nuk e konsiderojmë që kjo gjykatë është që të gjykojë luftën tonë çlirimtare, një luftë të drejtë, por poashtu do të gjykohet secili individ që mund të ketë bërë ose është i dyshuar se do të ketë bërë ndonjë krim.
Kemi shfaqur brengosjen tonë të përbashkët lidhur me migrimin e madh të popullsisë dhe poashtu gatishmërinë tonë që ne të pranojmë të gjithë qytetarët tanë që kanë migruar, që të kthehen në Kosovë, të kemi një përkrahje më të madhe të Bashkimit Evropian për punë sezonale, përderisa neve na nevojitet një periudhë e stabilizimit ekonomik të brendshëm dhe kemi kërkuar që edhe institucionet e Bashkimit Evropian të jenë mbështetëse në këtë proces.
Zonjën Mogherini e njoftova edhe lidhur me Programin Qeverisës dhe prioritetet tona qeverisëse, sidomos ato që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, me ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe reformat tjera thelbësore, të cilat duhet t’i bëjmë dhe se problemet tona do të mundohemi që t’i zgjidhim përmes reformave ekonomike dhe reformave tjera karshi kërkesave që para nesh i ka shtruar Bashkimi Evropian.
Presim që sa më shpejt të nënshkruajmë Marrëveshjen për Stabilizim Asociim dhe poashtu presim që ne t’i plotësojmë kushtet e fundit teknike që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, ndërkaq kemi treguar kërkesën dhe interesimin tonë që ky proces të shpejtohet në Bashkimin Evropian, në mënyrë që edhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm, ashtu siç lëvizin qytetarët e të gjitha vendeve evropiane", ka thënë Mustafa./A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat