AAK e krahason vendimin e fundit të RTK-së me ato të kohës së Millosheviqit

Kosova

AAK e krahason vendimin e fundit të RTK-së me ato të kohës së Millosheviqit

Më: 26 mars 2015 Në ora: 16:43

Kryetarja e grupit parlamentar të AAK-së,Donika Kadaj Bujupi, e ka krahasuar me vendimet e regjimit të Millosheviqit, largimin e sotëm nga puna të kryesindikalistit të RTK-së, Fadil Hoxha, dhe redaktorit e zëvendësit të kësaj Sindikate, Arsim Halili.

“Është marrë një vendim arbitrar, me i largu prej pune pa asnjë informatë apo paralajmërim, por vetëm pse kanë denoncuar keqmneaxhmin aty”, ka thënë deputetja Kadaj Bujupi. “Kjo po ma kujton kohën kur RTP-ja është mbyllur nga regjimi”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se politika duhet të qëndrojë larg nga mediat, por ajo ka thënë se Kuvendi i Kosovës, si themelues i RTK-së nuk mundet të rri duarkryq në shkeljen e vazhdueshme të etikës dhe parimeve.

Grupi Parlamentar i AAK-së e kishte paralajmëruar më parë se do të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor, ndërsa Kadaj –Bujupi tha se është për keqardhje se vendimi për largimin e tyre nga puna u bë vetëm pak kohë para se të nis kjo pikë e rendit të ditës.

“AAK mendon se është momenti i fundit kur Kuvendi duhet të ndërhyjë për të ndalur të keqen që ka kapluar RTK-në, duke ditur se është edhe financuese e këtij institucioni. Ky grup hetimor duhet që të zbardh edhe dyshimet për keqpërdorime të parasë publike, për punësimet familjare, për censurën, e të tjera”, ka thënë Kadaj - Bujupi.

Deputeti i LDK-së, Ali Sadria, ka thënë se grupi parlamentar të cilit i takon nuk e përkrah themelimin e komisionit hetimor, sepse sipas tij, ky është një proces që zgjat shumë, ndërsa ai ka thënë se gjendja në RTK është më alarmante se kaq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat