Kosova, kryelajm në mediet ndërkombëtare

Kosova

Kosova, kryelajm në mediet ndërkombëtare

Më: 26 mars 2015 Në ora: 16:38

Raportimet për samitin rajonal “Western Balkans ‘6”, ka zënë hapësirë mjaft të madhe në mediet ndërkombëtare.

Agjencia franceze ndërkombëtare e lajmeve, me seli në Paris (AFP), ka shkruar se ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, të mërkurën u bë zyrtari i parë i lartë qeveritar i Serbisë që e vizitoi Kosovën, me ftesë të homologut të tij, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

AFP citon Daçiqin të ketë thënë se vizita ishte një veprim pozitiv që ndikon në përmirësimin e marrëdhënieve dhe krijimin e mundësive për të lehtësuar lëvizjen e mallrave, kapitalit dhe njerëzve. Kurse, nikoqiri i tij, ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, citohet të ketë thënë e ky ishte një hap drejtë normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurse, Reuters, agjencia tjetër e lajmeve ndërkombëtare me seli në Londër, përpos zotimit të BE’së për ofrimin e 1 miliard eurove për projektet infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor, ka përshkruar edhe kafen e pirë të ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiq, me homologun e tij, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçin, duke e përshkruar edhe aktivitetin e mëhershëm të Thaçit si ish-lider i UÇK-së, i cili luftoi kundër forcave paramilitare të Sllobodan Millosheviqit në vitet 1998-1999.

Ndërsa, mediat serbe Tanjug, B92, Politika, Novosti, etj., theksin e raportimit të tyre e kanë vendosur te projektet e prekshme të karakterit rajonal me fokus të posaçëm në investimet në infrastrukturë, të cilat mund të jetësohen përmes fondeve të BE-së me synim zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Projektet e përbashkëta do të definohen më 27 gusht në Vjenë, ndërsa BE pritet t’i ndajë rreth një miliard euro përmes mekanizmit të IPA-s dhe priten fonde të majme edhe nga “burime të tjera”, raporton Tanjug.

Vëmendje të konsiderueshme samitit rajonal “Western Balkans ‘6”, të mbajtur në Prishtinë, i kanë kushtuar edhe mediat gjermane dhe austriake. Televizioni publik austriak ORF ka raportuar për mbajtjen e konferencës dhe vizitën e zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daciq në Kosovë, e ka quajtur historike.

“Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, asnjë zyrtar serb nuk ka udhëtuar me ftesë të Prishtinës“, thuhet në raportimin e ORF, transmeton Telegrafi.

Derisa, zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas ORF vizitën e Daçiqit e ka quajtur si një shenjë të mirë. “Ky është një hap drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë“, citohet Thaçi.

Gjithashtu, edhe gazeta prestigjioze austriake “Die Presse“ ka shkruar lidhur me konferencën e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës. Edhe kjo e përditshme shkruan se është hera e parë që zyrtarët serbë kanë udhëtuar zyrtarisht në Kosovë, me ftesë zyrtare të Prishtinës.

Ndërsa, hapësirë të madhe kësaj ngjarje i ka dhënë edhe gazeta gjermane “Die Zeit“, e cila sikurse shumë media botërore, vizitën zyrtare të zëvendëskryeministrit serb Daçiq në Kosovë e ka quajtur si historike. Sipas kësaj gazete, në konferencën e organizuar nga Kosova, kanë marr pjesë ministrat e punëve të jashtëm dhe të infrastrukturës nga shtetet e rajonit, ku është folur për bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat