Drejtësia e harruar në Krushë

Kosova

Drejtësia e harruar në Krushë

Më: 26 mars 2015 Në ora: 16:34

Varret ku pushojnë 142 qytetarët e Krushës së Madhe u vizituan sot nga shumë qytetarë, përfaqësues të institucioneve dhe familjarë të të rënëve. Aty vajtuan sot motrat, vëllezërit, nënat, baballarët dhe fëmijët e atyre që ranë në dorën e kriminelëve serb. Aty u thanë sot edhe shumë pakënaqësi që këta qytetarë vazhdojnë t’i kenë

Para varreve të të rënëve u kërkua sot drejtësi, drejtësi kjo e cila po u mungon që 16 vite. Në ditën kur krushjanët po përkujtojnë të rënët në luftën e fundit, në këtë vend ku gjatë 16 vite më parë u djegën dhe u shkatërruan 793 shtëpi, po kërkohet ende një përgjigje.

64 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, por vazhdon të jenë të padënuar edhe ata që kryen këto krime.

Përfaqësuesi i këtij fshati Sejfullah Sejfullahu, kërkoi nga institucionet përgjegjëse që të dihet për fatin e të pagjeturve dhe të bëjnë gati padinë për Serbinë.

Sejfullahu: Dëshmi kemi, por veprime jo

“Po pyes drejtësinë kryesisht drejtësinë ndërkombëtare. A nuk kanë mjaftuar këto krime që të ngritet padi deri më tani në Krushë të madhe. Që 16 vite kërkojmë nga faktori ndërkombëtar që të bëjë presion në serbi për fatin e të pagjeturve. Asgjë. Me vite me radhë iu kemi ofruar Tribunalit të Hagës dhe hetuesve ndërkombëtarë dëshmi e dëshmi për krime. Asgjë. Zyrtarisht, Tribunali i Hagës në Krushë gjeti 2 krematoriume, 8 varreza masive, dhe 241 të vrarë, gra, fëmijë dhe pleq”, tha Sejfullahu.

Ai kritikoi Bashkimin Evropian, që sipas tij po merret me krime të supozuara e nuk po merret me krime të dokumentuara, por, duke i akuzuar në anën tjetër UNMIK-un i cili morri faktet nga Krusha e Madhe dhe i avulloi ato.

Megjithatë krushjanët kanë mbledhur sërish fakte dhe dëshmi për krimet që u bënë gjatë 99-ës në vendin e tyre.

Sejfullahu kërkoi ndihmë për padi ndaj Serbisë dhe kërkoi që mos t’i zhbllokohet pasuria e familjes së Millosheviqit, që sipas tij ajo pasuri është vjedhur në Kosovë.

Sejfullahu: UNMIK-u na i avulloi faktet

“Andaj ne po ngrisim padi ndaj shtetit serb ku fillimisht kërkojmë nga BE-ja që të anuloj vendimin për zhbllokimin e pasurisë miliardëshe të familjes kriminale të familjes Millosheviq. Ato mjete nuk janë pasuria e asaj familje por është djersa jonë të cilën e vodhen ushtria serbe. Kërkojmë nga hetuesit e Tribunalit, UNMIK-ut dhe EULEX-it që të na kthejnë dëshmitë që morën në Krushë kinse për padi ndaj krimineleve serbë por të cilat nuk i përdoren kurrë duke mos vepruar asnjëherë. Evropa demokratike mund të tallet me ne duke mos na hequr regjimin e vizave por nuk lejojmë të tallet me ne duke fshehur dëshmitë për krimet e shtetit serb ndaj bashkëvendëseve tanë. Përfaqësues të institucioneve duke iu falënderuar për kujdesin e juaj ndaj nesh, ju ftojmë që të na mbështesni në këtë luftë juridike. Gjithashtu ftojmë Këshillin prokurorial e gjyqësor që të lënë zënkat e tyre partiake e klanore për poste dhe të na mbështesin juridikisht për këshilla dhe infrastrukturë”, tha Sejfullahu para të pranishmëve.

Përgjigje po vazhdon të kërkojë edhe Bajram Nalli, i cili ka të vrarë 13 persona të gjirit të ngushtë familjar. Në mesin e tyre janë edhe dy djemtë e tij, e njëri rezulton ende i pagjetur.

Nalli edhe sot e ndjen dhimbjen e njëjtë sikur të para 16 viteve. Por, sot ai po kërkon drejtësi.

Nalli: Turp që nuk po i gjejnë të pagjeturit

“Dita e sotme, për mua është ditë si gjithë të tjerat. Neve si prind ende e kemi dhimbjen e njëjtë. Bile këto ditë kur i përkujtojmë diqysh na shtohet dhimbja. Nuk po punohet për të pagjetur, nuk po punohet për me i gjet kriminelët që kanë kryer krimet. Me u bo një krim i vogël po e gjejnë, ama me i vra 206 persona edhe mos me u gjet. Turp”, tha Nalli.

Dhimbjen me krushjanët e ndau sot edhe kryeparlamentari Kadri Veseli. Ai me rastin e 16-vjetorit të masakrave në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël, qëndroi dhe mbajti fjalime në të dyja vendet.

Kryetari i Kuvendit në fjalën e tij para familjarëve të dëshmorëve, martirëve e të pagjeturve të Krushës së Madhe, tha se 26 marsi është një ditë e rëndë dhe e dhimbshme jo vetëm për Krushën, por për gjithë Kosovën.

Veseli: Egërsia mbuloi edhe Krushën e patriotëve

“Më 26 mars 1999, kjo egërsi mbuloi edhe Krushën e Madhe. Krushën e Madhe të sa e sa patriotëve që për gjatë një shekulli dhanë jetën dhe mundin e tyre për lirinë e Kosovës. Krushën e Madhe të mendimtarit më të madh të lirisë, intelektualit të pashoq Ukshin Hotit, të cilin që nga viti 1981 e torturonin burgjeve, por nuk arrinin ta thyenin shpirtin e tij”, tha kryetari Veseli.

Ai shtoi se regjimi serb derisa po i vriste shqiptarët në Krushë, po përgatiste edhe planin për ta zhdukur Ukshin Hotin, e nëpërmjet tij, t’i zhdukte idenë dhe qëllimet që ai kishte. Por,siç tha Veseli, serbët nuk arritën as ta vrasin Krushën e as ta zhdukin idealin e Ukshin Hotin, për faktin se UÇK-ja arriti t’i rezistojë asaj barbarie, ta fuqizojë luftën e saj dhe t’i realizojë idealet e veta.

Veseli u tha krushjanëve që këta të vrarë janë frymëzimi i punës dhe zhvillimit të një shteti të fuqishëm.

Veseli: Këto varre na frymëzojnë për të punuar

“Të mendojmë çdo ditë për ta, para se të ecim dhe të bëjmë hapin tonë për më të mirën e vendit tonë. Të kemi frymëzim nga ata që të mos ndalemi kurrë deri në arritjen e idealit të tyre. Të mos të ndalemi kurrë deri në momentin kur dikush duhet të përgjigjet për krimet që i bënë. Derisa të zgjidhet fati i Ukshin Hotit dhe derisa Kosova të jetë një shtet I fuqishëm, shtet I zhvilluar ekonomikisht dhe I integruar në Bashkimin Evropian dhe strukturat veriatlantike”, tha Veseli.

Në këtë ditë u përkujtuan edhe të vrarët e fshatit Krushë e Vogël, në këtë fshat ku forcat serbe vranë të gjithë burrat e fshatit.

113 viktima janë shënuar gjithsej në këtë fshat, prej të cilëve 86 prej tyre vazhdojnë të jenë të zhdukur./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat