SHBA synon integrimin e Kosovës në NATO

Kosova

SHBA synon integrimin e Kosovës në NATO

Më: 21 mars 2015 Në ora: 19:29

“SHBA-të synojnë integrimin e gjithë kombeve ballkanike në NATO, përfshirë Kosovën dhe Serbinë” kështu deklaroi diplomati amerikan Scott Lang, para studentëve të Fakultetit Shkenca Politike dhe Diplomaci të Universitetit AAB, si mysafir-ligjërues në temën “Politika e jashtme amerikane”.
Ai potencoi se SHBA-të po e përcjellin me vëmendje dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe se SHBA-të përkrahin anëtarësimin në Bashkimin Evropian të të gjitha kombeve ballkanike.
Lang përmendi se Kroacia para se të bëhej vend anëtar i BE-së u anëtarësua në NATO së bashku me Shqipërinë dhe se vendi i tij ka raporte të mira Serbinë, edhe në nivelin ushtarak.
Diplomati Scott Lang iu shmang përgjigjes direkte në pyetjen e një studenti, nëse Amerika përkrahë apo jo kërkesën e serbëve që Asociacioni i Komunave Serbe të ketë kompetenca ekzekutive , duke thëne se SHBA-të do të pranojnë marrëveshjet qe i nënshkruajnë të dyja qeveritë, duke nënkuptuar këtu qeveritë, e Kosovës dhe Serbisë.
Lang u pajtua me vlerësimin e bërë nga Nexhmedin Spahiu se Amerika është një komb i ndërtuar mbi vlera të larta morale, me vetë faktin se katër themeluesit e kombit amerikan: George Washington, John Adams, Thomas Jefferson e James Madison nuk e eliminuan njeri tjetrin por secilit i erdhi radha të bëhej president i Amerikës.
“Pikërisht ky fakt ka bërë që kombi amerikan të jetë kombi më i fuqishëm i botës”, tha ai.
Diplomati Scott Lang në fund është përgjigjur edhe në një varg pyetjesh të shtruara nga studentët e AAB-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat