"Deklarata e Jahjagës rreth bashkimit kombëtar, kundër asaj të Presidentit Nishani"

Kosova

"Deklarata e Jahjagës rreth bashkimit kombëtar, kundër asaj të Presidentit Nishani"

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 21 mars 2015 Në ora: 09:18

Por, gafat e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk janë të pakta, vlerëson analisti politik Nehat Hyseni. Sipas tij, këtu bën pjesë edhe deklarata e saj e fundit se kinse "bashkimi i Kosovës më Shqipërinë, d.m.th. bashkimi kombëtar i shqiptarëve i takon shekullit të kaluar".

“Sidomos bien në sy mospërputhja e kësaj deklarate me prononcimin e fuqishëm të paradokohshëm të Presidentit të Shqipërisë, z. Bujar Nishani, për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, që ai e quan mision të shenjtë dhe obligim për të kontribuar të gjithë shqiptarëve drejtë realizimit të tij”, thotë Hyseni për gazetën “Bota sot”.

Pra, Hyseni vlerëson se, deklarata e Presidentit Nishani ishte diametralisht e ndryshme dhe në kundërshtim të plotë me deklaratën e pamatur dhe të papranueshme të Presidentes Jahjaga.

“Sepse, bashkimi kombëtar i shqiptarëve paraqet synim normal dhe dëshirë e vullnet politik i tyre i madh për t'u realizuar. Të gjitha lëvizjet politike shqiptare kishin këtë qëllim. Pra, bashkimi kombëtar i shqiptarëve paraqet ndreqje të gabimeve dhe padrejtësive historike që u janë bërë shqiptarëve në të kaluarën, që nga viti 1912, kur u shpallë Pavarësia e Shqipërisë në Vlorë, kurse Kosova mbeti nën Serbi. Kjo padrejtësi u konfirmua edhe në Konferencën e Londrës, në vitin 1913”, thekson ai.

Hyseni thotë se, natyrisht dëshira dhe vullneti politik i shqiptarëve për bashkim kombëtar, nuk është unik në Evropë dhe në botë.

“Sepse, siç e dimë, edhe gjermanëve iu imponua nga lufta e ftohët midis blloqeve ushtarake dhe regjimeve e sistemeve të ndryshme shoqërore midis Lindjes dhe Perëndimit, duke vendosur kufirin ndarës midis Gjermanisë në vitin 1961, duke e ndarë madje edhe qytetin e Berlinit me Murin famëkeq, si dhe Gjermaninë në dy shtete, që zgjati deri në vitin 1989”, pohon ai.

Hyseni thotë se, mos ti numërojmë edhe rastet e tjera në Evropë dhe botë, ku popujt që i ka ndarë historia, synojnë të bashkohen.

“Sidomos kjo vlen për shqiptarët, që krahasuar me popullin Gjerman, i cili numëron mbi 80 milionë dhe bashkimi i tyre nuk e rrezikoj askënd në rajon, aq më pak do e destabilizonte rajonin dhe Ballkanin s Evropën bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë, d.m.th. i shqiptarëve, që janë dhjetë herë më të pakët në numër se Gjermanët”, thotë ai.

Nehat Hyseni, thotë se, prandaj, Presidentja Jahjaga duhet të del dhe të kërkoj falje para shqiptarëve për këtë gafë politik dhe të sqaroj se edhe shqiptarët kanë synime integruese, qofshin ato rajonale, evropiane apo gjithëshqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat