Rrahmani: As këtë vit nuk do të ketë sigurime shëndetësore

Kosova

Rrahmani: As këtë vit nuk do të ketë sigurime shëndetësore

Më: 19 mars 2015 Në ora: 14:22

Viti 2015 nuk do të jetë vit kur qytetarët e Kosovës do të kenë sigurime shëndetësore, kjo pasi që për këtë duhet paraprakisht të kryhen të gjitha procedurat e nevojshme, në mënyrë që pastaj ky projekt të mos dështojë.

Kështu ka deklaruar ministri Shëndetësisë Imet Rrahmani, në një konferencë për gazetarë, pas nënshkrimit të memorandumit me Doganat e Kosovës për lehtësirat në importimin e vaksinave.

“ Unë iu them me sinqeritet më të madh se datë të saktë nuk kemi. 2015 sigurisht nuk do të kemi sigurime shëndetësore, për shkak se ne nuk mund të fillojmë të mbledhim premiume, ose kontribute të qytetarëve dhe të mos mund të ofrojmë sigurime shëndetësore. Sigurimet shëndetësore janë një procedurë e rëndësishme e reformës. Është një nga objektivat që nëse realizohet mirë dhe qysh duhet do të disiplinon shumë sistemin shëndetësor”, ka thënë Rrahmani.

Rrahmani tha pas nënshkrimit të marrëveshjes se procedurat e përshpejtuara do të mundësojnë që të ruhet cilësia e mjaftueshme e barnave.

“Lehtësirat në importimin e vaksinave të domosdoshme që janë të parapame edhe me ligj, për imunizimin e popullatës tonë. Natyrisht që do të eliminohen disa problem teknike dhe do të sigurohet cilësia e mjaftueshme e vaksinave, sidomos në ruajtjen e zinxhirit të vaksinave. Falënderojmë me këtë rast edhe përfaqësuesen e UNICEF-it dhe UNICEF-in që në procesin e sigurimit të vaksinave të domosdoshme na kanë ndihmuar në vazhdimësi, dhe bashkë me institutin ne jemi në gjendje që në përqindje të madhe të bëjmë vaksinimin e popullatës dhe mbrojtën nga sëmundjet e ndryshme”, ka thënë Rrahmani.

Ai ka folur edhe për 100 ditshin e tij në krye të MSH-së, duke thënë se kanë punuar shumë në disa fusha, por se rezultatet e vërteta mund të vërehen në një periudhë më të gjatë kohore.

Ndërsa drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm për shëndetësinë kosovare pasi që do të kemi një shkurtim të madh të procedurave duke iu mundësuar mbi 200 mijë fëmijëve të përfitojnë nga vaksinimi.

Nga shtatë ditë që është dashur të presin barnat në aeroport për të kryer procedurat, tashmë këto procedura me këtë memorandum do të kryhen me rastin e ardhjes së vaksinave, procedurë kjo që mund të zgjas deri në dy orë. Sipas Rafunës ato nuk do të qëndrojnë më në aeroport por drejtë do të dërgohen në Institutit Shëndetësor, ku do të qëndrojnë në zinxhirin ftohës, çka pastaj i mundëson ruajtën e kualitetit.

“Jam i lumtur që këtë procedurë e thjeshtësojmë në minimumin ose eliminojmë në tërësi një procedurë e cila ka marrë kohë për zhdoganimin e vaksinave, por në fakt tek ne e ka ngjallë gjithmonë atë frikën ose panikun që mos vaksinat e humbin atë kualitetin e vet, të cilën është dashur ta tregojnë me rastin e vaksinimit të fëmijëve. Kjo është edhe një thjeshtësim i procedurës që dogana e bënë jo vetëm për bizneset private por edhe për institucionet e vendit”, ka thënë Rafuna.

Rafuna ka thënë se jo vetëm për këto ilaçe por edhe për të tjera do të tentojnë të vazhdojnë bashkëpunimin me MSH-në, në mënyrë që pacientët të kenë në një afat sa më të shpejtë medikamentet e nevojshme.

Drejtori i doganave Rafuna më tej ka thënë se Kosovës këtë vit për dallim nga viti paraprak ka arritur të luftojë kontrabandën me barna, duke treguar se në tre mujorin e parë të këtij viti është ngritur numri i të hyrave për 5 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

“Problemin më të madh si doganë e kemi pas me barna në pjesën veriore. Me vendosjen tonë në dy vendkalimet doganore në Jarinje dhe Bërnjak, me 15 dhjetor të vitit 2013, ne kemi filluar t’i evidentojmë dhe t’i verifikojmë se cilat janë duke importuar barna dhe ramja e sasisë së mallit në doganë që kishim në 15 për qind në këta dy muajt e fundit, ndërsa ngritja e të hyrave për 5 për qind më shumë se sa periudhën e njëjtë të vitit të kalum janë indikacione që neve na tregojnë që ne jemi duke luftuar kontrabandën dhe ekonomin informale”, ka thënë Rafuna./kp/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat