Hyseni: Është koha e fundit që Kosova të ndërtoj politikë të mirëfilltë karshi Serbisë

Kosova

Hyseni: Është koha e fundit që Kosova të ndërtoj politikë të mirëfilltë karshi Serbisë

Më: 14 mars 2015 Në ora: 13:38

Lista serbe ka bojkotuar pjesëmarrjen në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës dhe të Qeverisë, që nga shkarkimi i ministrit serb Jabllanoviç nga Kryeministri Mustafa.

Bojkotimi i tyre u konfirmua ditëve të fundit në mbledhjen e tyre të përbashkët të Kryeministri i Serbisë në Beograd, Aleksandar Vuçiq.

Ky bojkotim i tyre do të ketë impakt në punën dhe vendimmarrjen e Kuvendit të Kosovës për miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicën e dyfishtë dhe atë të kualifikuar, si p.sh. Ligjin për Gjykatën Speciale, Ligjin për transformimin e FSK në FAK, etj., vlerëson analisti politik Nehat Hyseni.

Sipas tij, efekti real i Listës serbe në politikbërjen kosovare konsiston në involvimin e Qeverisë së Serbisë në performansën dhe vendimmarrjen politike të Kosovës, duke e promovuar Serbinë në partner bashkëqeverisës dhe suzerenitet (sovranitet të dyfishtë) të komunave me shumicë serbe.

“Faktikisht, ky impakt i Serbisë në politikën kosovare i gjason meselesë së "kunxhit të Nasradinit", që na u instalua nga Marrëveshja famëkeqe dhe antishqiptare e 19 prillit 2013 në Bruksel, me të cilën u promovua formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si "kali i Trojës", apo si shtet serb brenda Kosovës, duke e rrezikuar Kosovën të shndërrohet në shtet tërësisht jofunksional, siç është rasti i Bosnjës”, thotë Hyseni për gazetën “Bota sot”.

Andaj, sipas tij, si detyrë imediate e kësaj Qeverie mbetet detyra e zhbërjes së zgjidhjeve antishqiptare dhe ridizajnimit të Dialogut të Brukselit, konformë rrethanave reale të Kosovës, duke këmbëngulur që të zhbëhet roli bashkëqeverisës i Serbisë në territorin e Kosovës.

“Gjithsesi, Dialogu i Brukselit duhet kushtëzuar me vendosjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si çështje të barabartë me atë të serbëve të Kosovës, sipas parimit të mirënjohur të reciprocitetit. Pra, mbeten shumë gjëra dhe zgjidhje makabre të Dialogut të Brukselit, që rrezikojnë sovranitetin dhe Pavarësinë e Kosovës”, pohon ai.

Prandaj, Hyseni thotë se, bojkotimi i Listës Serbe ka për qëllim bllokimin e punës së Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, të cilët "hanë bukën e Kosovës, kurse shërbejnë dhe punojnë si argat dhe piunë të Serbisë".

“Pra, ata financohen nga buxheti i Kosovës, duke marrë paga të majme dhe përfitime të ndryshme financiare, kurse punojnë për një shtet tjetër, që është armik i Kosovës. Armiqtë e Kosovës kanë siguruar financim nga buxheti i taksapaguesve kosovarë për veprimet e tyre diverzive dhe armiqësore, që synojnë rrënimin e këtij shteti”, thotë ai.

Analisti politik, Nehat Hyseni, thekson se është koha e fundit që Kosova të ndërtoj politikë të mirëfilltë dhe të vendosur e dinjitoze karshi Serbisë dhe serbëve të Kosovës, të cilët nuk e njohin Kosovën si shtet dhe atdhe të vetëm të tyre, por e njohin Serbinë, këtë shtet armik që aq shumë të këqija dhe tmerre i shkaktoi popullit dhe shtetit të Kosovës. Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat