Mustafa: Prioritet i qeverisë, gjenerimi i vendeve të punës (Video)

Kosova

Mustafa: Prioritet i qeverisë, gjenerimi i vendeve të punës (Video)

Më: 6 mars 2015 Në ora: 16:27

Kryeministri Isa Mustafa prezantoi një pjesë të programit qeverisës 2015 -2018 në forumin e nivelit të lartë para komunitetit të donatorëve dhe agjencive të tjera.

Ai tha se prioritet janë gjenerimi i vendeve të reja të punës, reformat fiskale dhe forcimi i shtetit ligjor. Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, bëri thirrje që i gjithë spektri politik duhet të bashkëpunojë rreth këtij program, ndërsa zëvendësambasadorja amerikane, Jennifer Bachus, vlerësoi se korrupsioni është bërë pengesë kryesore e zhvillimit të Kosovës

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa prezantoi një pjesë të programit qeverisës 2015 -2018 në Forumin e Nivelit të Lartë para komunitetit të donatorëve dhe agjencive të tjera. Mustafa tha se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të rris ekonominë, përmes rritjes së normës vjetore të rritjes ekonomike, e cila do të mundësonte një normë të punësimit, që do të përfshinte fluksin vjetor të papunëve që hyjnë në tregun e punës, e që sipas evidencave sillet prej 25 mijë deri në 30 mijë të papunë çdo vit. Për këtë, Mustafa tha se Kosova ka nevojë për mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

“Programin tonë ne e kemi llogaritur në partneritet me Bashkimin Evropian, kemi llogaritur po ashtu në fondet e veçanta të IPA-s, të cilat mund t’i shfrytëzojmë në periudhën e ardhshme kohore dhe, po ashtu kemi vlerësuar gjithë ndihmën dhe financimin që është dhënë nga programi IPA deri në periudhën e tanishme, si dhe nga fondet tjera të Bashkimit Evropian”, u shpreh Mustafa.

Mustafa tha se prioritet i programit qeverisës janë edhe reformat fiskale dhe forcimi i shtetit ligjor, ndërsa shtoi se së shpejti do të inicohet hartimi i Strategjisë Kombëtare të Zhvilimit për periudhën 2015-2020, ku do të definohen qartë prioritet për zhvillimin ekonomik të vendit.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar than me këtë rast se për zhvillimin e një programi ekonomik duhet të punojnë të gjithë në mënyrë që të shihen rezultatet.

"Pa një përkrahje të gjerë zbatimi do të jetë i pamundur. Zhvillimi i Kosovës, përmirësimi i situatës socio-ekonomik duhet të jetë prioriteti i parë i autoritete të Kosovës. Kjo nuk duhet të jetë çështje e betejave politike. Të gjitha forcat politike duhet të bashkohen pasi që është i nevojshme bashkëpunimi i të gjithëve për te pasur sukses, dhe suksesi nuk duhet të shihet si një e arritur e njërës palë, por duhet të shihet si sukses i Kosovës dhe qytetareve të saj", tha Zhbogar.

Kurse, Jennifer Bachus, zëvendësambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e quajti ambicioz programin qeveritar, por ajo tha korrupsioni është pengesa kryesore e zhvillimit të Kosovës, pasi që ky fenomen po i prekë të gjitha nivelet e shoqërisë.

“Duke i adresuar çështjet e korruopsionit, Kosova do të tërheq investime, do të rris vendet e punës dhe do të parandalojë migrimin e fuqisë punëtore. Prandaj rritja ekonomike e qëndrueshme, duhet t’iu shërbejë të gjithë qytetarëve të Kosovës. Prandaj çfarëdo strategjie që të nxirret, duhet ta ketë për qëllim këtë”, tha Bachus.

Edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti prezantoi prioritetet e programit qeverisës, ndërsa ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku foli për koordinimin e donacioneve të cilat do të jenë në përkrahje të zbatimit të programit qeverisës. Në këtë takim ishin edhe ministra të tjerë të Qeverisë së Kosovës, dhe përfaqësues ndërkombëtarë, ndërsa u zhvillua një diskutim i gjerë për harmonizimin e donacioneve me prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat