Rrugët e dëmtuara paraqesin shqetësim për qytetarët

Kosova

Rrugët e dëmtuara paraqesin shqetësim për qytetarët

Më: 6 mars 2015 Në ora: 09:58

Rrugët e papastruara dhe të dëmtuara në kryeqytet po paraqesin shqetësim për qytetarët.

Zëdhënësja në Komunën e Prishtinës Miranda Mullafazliu tha për Radio Kosovën se riparimi i rrugëve të dëmtuara, do të fillojë nga java e ardhshme, kurse pastrimi me ujë nuk mund të bëhet në temperatura të ulëta.

Qytetarët thonë se në kryeqytet rrugët janë shumë të dëmtuara dhe të pa pastërta. Ata fajësojnë kompanitë përgjegjëse dhe Komunën e Prishtinës për gjendjen e rrugëve. Banorët e intervistuar thonë gropat në rrugë po i shkaktojnë edhe prishje të automjetit.

Ndërsa zyrtarë komunal thanë për Radio Kosovën se rrugët në kryeqytet janë dëmtuar nga hedhja e rërës dhe kripës për shkak të reshjeve të borës gjatë dimrit. Zëdhënësja, Miranda Mullafazliu theksoi se gjatë javës së ardhshme do të fillojnë riparimin e rrugëve së bashku me asfaltimin e atyre të mbetura nga viti i kaluar.

” Drejtoria e Infrastrukturës pasi që temperaturat veç kanë filluar të ngritën dhe kushtet atmosferike lejojnë, do të fillojë prej javës së ardhshme punën, riparimin nëpër këto rrugë dhe vazhdimin e asfaltimit të gjitha rrugëve të mbetura”, tha ajo.

E sa i përket pastrimit të rrugëve zëdhënësja Mullafazliu tha se kohë më parë komuna ka ndërprerë kontratën me disa kompani të cilat sipas saj ishin të papërgjegjshme. Ajo thotë se tani për mirëmbajtje të rrugëve përgjegjëse janë kompanitë; “Toifor”, “Zahiri” dhe kompania komunale “Hortikultura”.

” Drejtoria e Shërbimeve Publike në bashkëpunim me kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtje të rrugëve ka hartuar një orar sipas të cilit pastrohen rrugët e kryeqytetit dhe bëhet mbledhja e mbeturinave në baza ditore derisa pastrimi me ujë shpesh herë gjatë natës për shkak të temperaturave të ulëta nuk mund të bëhet”, tha ajo.

Radio Kosova ka provuar të kontaktojë më kompanitë përgjegjëse për pastrim të rrugëve por ato nuk janë prononcuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat