503 diploma false në Pejë. Popovci: Kjo është skandaloze

Kosova

503 diploma false në Pejë. Popovci: Kjo është skandaloze

Më: 6 mars 2015 Në ora: 08:51

Në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë brenda një dite kanë diplomuar 105 studentë. Prokuroria themelore e këtij qyteti dyshon se Universiteti publik i ka lëshuar 503 diploma false.

Rreth këtij rasti ministri Arsim Bajrami ka kërkuar që të bëhet një hetim për këtë rast, pasi shumë prej tyre janë të punësuar në institucione të ndryshme shtetërore apo agjencione tjera.

Dukagjin Popovci, ekspert nga Qendra e Arsimit të Kosovës, thotë se kjo çfarë ka ndodhur në Fakultetin e Biznesit të Universitetit të Prishtinës në Pejë është vërtetë skandaloze.

“Nuk e di akoma për çfarë falsifikimi bëhet fjalë: falsifikim të nënshkrimeve të dekanit dhe rektorit, apo dekani dhe rektori kanë nënshkruar diploma me dorën e vet duke u vënë në lajthitje nga Administrata e Fakultetit. Sido që të jetë kjo çështje duhet të ndiqet deri në fund dhe të ndëshkohen ata që kanë bërë të mundur lëshimin e diplomave të tilla, si dhe ata që kanë përfituar diploma të tilla”, thotë Popovci për gazetën “Bota sot”.
Sipas tij, nëse dikush, në bazë të një diplome të rreme, ka përfituar diploma të tjera kjo është bazë e mjaftueshme që të anulohen edhe ato diploma.

“Po ashtu, ata që kanë zënë poste dhe vende pune mbi bazën e diplomave të rreme, duhet të shkarkohen urgjentisht”, thotë Dukagjin Popovci. Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat