Studentët diskutuan për sfidat e së ardhmes

Kosova

Studentët diskutuan për sfidat e së ardhmes

Më: 5 mars 2015 Në ora: 17:09

Një tryezë debati për sfidat e universiteteve të reja, ku përveç studentëve të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” ishin të pranishëm edhe studentë dhe profesorë nga Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka”, u mbajt të enjten në Mitrovicë, që u organizua nga Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”.

Të pranishmëve me një fjalë rasti ju drejtua edhe rektori i UMIB-it, Alush Musaj, i cili përgëzoi studentët për këtë nismë në mënyrë që bashkërisht të diskutojnë për të gjitha projektet dhe sfidat.

“Është kjo një mënyrë e mirë e bashkëpunimit dhe koordinimit në mënyrë që bashkërisht të përballemi me problemet dhe sfidat që kemi dhe bashkërisht të ecim përpara”, ka thënë Musaj.

Ai njoftoi studentët për disa nga aktivitetet kyçe që janë bërë brenda dy vitesh prej themelimit të Universitetit të Mitrovicës.

“Nesër, me 6 mars 2015 bëhen dy vite prej themelimit të Unievrsitetit të Mitrovicës dhe brenda kësaj kohe kemi arritur që të konsolidohemi jashtëzakonisht mirë”, tha mes tjerash Musaj.

Në këtë kontekst, ai përmendi themelimin e të gjitha organeve të brendshme universitare, si Këshillin Drejtues, Senatin, mandej organet për përfaqësimin e studentëve etj.

“Përveç kësaj kemi arritur me sukses të akreditohemi si universitet dhe në këtë vit akademik në kuadër të 6 fakulteteve funksionojnë 23 programe që kanë ofruar mundësi të mëdha për studentët e rajonit, por edhe më gjerë”.

Në anën tjetër, studentët themelimin e Universitetin e Mitrovicës e kanë vlerësuar si një vendim tepër të rëndësishëm që ju ka ndihmuar shumë të rinjve të rajonit.

Alban Fazliu, kryetar i Parlamentit të Studentëve, tha se Universiteti i Mitrovicës është një derë që ka hapur shumë mundësi për të rinjtë që nuk kanë mundur të studiojnë për shkak të kushteve ekonomike.

Studentët që ishin të pranishëm në takim, u interesuan edhe për kampusin e ri që po ndërtohet në Mitrovicë, i cili do të përmirësoj kushtet e punës. Në këtë kontekst pati pyetje edhe për planet sa i përket ndërtimit të konvikteve, mandej mensës së studentëve, bibliotekave nëpër fakultete etj. /KosovaPress

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat