Një orë dore për pensionim

Kosova

Një orë dore për pensionim

Më: 5 mars 2015 Në ora: 15:56

Nga një mirënjohje dhe nga një orë dore u ka ndarë të enjten dega e Sindikatës së Arsimit të Ferizajt, 32 mësimdhënësve që janë pensionuar brenda periudhës njëvjeçare.

Drejtuesit e sindikatës me këtë rast i kanë falënderuar mësimdhënësit për kontributin e tyre në edukimin dhe arsimimin e brezave, ndërsa këta të fundit janë ndarë me shpresën se në përfundim të karrierës prej mësimdhënësi, do t'i marrin tri pagat e fundit ashtu siç e parasheh kontrata kolektive.

Mësuesja Hamide Ismajli dhe mësuesi Halil Bilalli, tashmë të pensionuar e kanë pasur të vështirë t'i fshehin emocionet e tyre. Ata e kanë vlerësuar punën e mësuesit si të shenjte duke thënë se puna me ditar për një kohë të gjatë e ka bërë të veten dhe se në këto momente është vështirë të ndahesh prej nxënësve.

"Duhet të pajtohemi me këtë, jemi të kënaqur që e kemi pritur këtë moment. Për ne me rëndësi tash është shëndeti, lumturia dhe me pa një përparim më të mirë. Nuk është me rëndësi vlera e pensionit, jemi pajtuar me të, por më e rëndësishmja është liria që e kemi dhe që po e gëzojmë", ka thënë mësuesja Hamide.

Paksa më ndryshe mendon mësuesi, Halil Bilalli, i cili thotë se pensionimi të liron prej një obligimi, por që ke një pension të vogël e që vështirë është me ia dal.

"Kishte qenë mirë që pensioni me qenë më i lartë, ngase kur ke para ke ku të dalësh" thotë mësuesi Halil.

Ajo çka më së shumti u intereson këtyre pensionistëve janë tri pagat e fundit suplementare e që janë të parapara edhe me kontratën kolektive.

"Shprehi dyshimin se me këtë dokument na takon. Na është thënë që t'i drejtohemi Gjykatës, se sa do të kemi sukses do ta shihet në të ardhmen ", thekson mësuesi Halil Bilalli.

Në anën tjetër kryetari i degës së Sindikatës së Arsimit në Ferizaj, Rexhep Sadiku, ka thënë se shqetësimet e këtyre mësimdhënësve të pensionuar i ndanë edhe sindikata ngase jetojmë në një shoqëri të papërgjegjshme, me qeveritarë që vijnë dhe shkojnë pa i realizuar premtimet e tyre.

Ai ka vënë theksin te çështja e tri pagave të fundit të cilat këta pensionist duhet t'i gëzojnë."Po të ishim në një vend tjetër nuk do të ishin këto shqetësime, por fatkeqësisht kjo është Kosovë dhe ne jemi këta, njerëz që nuk kemi fituar as veti juridike e as përgjegjësi të plotë për aktet normative që i nënshkruajmë", ka thënë Sadiku.

Për më tepër, Sadiku, ka nënvizuar se këta punëtorë mund ta dëshmojnë të drejtën e tyre përmes kësaj sindikate nëse shkojnë në Gjykatë.

"Pa sindikatën nuk mund të shkojnë në Gjykata ngase kontratën kolektive e ka nënshkruar Sindikata së bashku me Ministrinë, prandaj është një kontinuitet i vazhdueshëm i sindikatës që i vë në përdorim mjetet e veta për ta realizuar të gjitha kërkesat e këtyre por edhe të arsimtarëve tjerë", ka shtuar Rexhep Sadiku.

Ndryshe, pavarësisht se a do ta gëzojnë këtë të drejtë këta punëtorë të pensionuar të arsimit, dega e Sindikatës së Arsimit në Ferizaj për çdo vit në prag të Festës së Mësuesit, i nderon me mirënjohje për kontributin e tyre në fushën e arsimit./kp/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat