Pacolli: Historia e Jasharajve do ta ketë një vend me gërma të arta

Kosova

Pacolli: Historia e Jasharajve do ta ketë një vend me gërma të arta

Nga: H.Orana Më: 5 mars 2015 Në ora: 11:50

Lideri i AKR-së Behxhet Pacolli përmes një postimi në Facebook ka kujtuar 17 vjetorin e vrasjes së familjes Jashari. Ai ka shkruar se familja Jashari e ka mirëpritur gjithmonë si qytetar, si president, si politikan duke e pasur gjithmonë derën hapur.

“Sot në 17 vjetorin e vrasjes së familjes Jashari, dua të nderoj me pietet sakrificën e kësaj familjeje martire, heroizmin e Adem Jasharit, që janë themeli më i fortë i pavarësisë sonë. Do doja shumë të isha musafir i kësaj familjeje, që më ka mirëpritur gjithmonë si qytetar, si president, si politikan duke e patur gjithmonë derën hapur. Në pamundësi të jem pranë miqve të kësaj familjeje të madhe, ashtu si dhe herë të tjera, unë i them bacës Rifat dhe gjithë të tjerëve: mbahuni të fortë dhe me dinjitet siç keni bërë vazhdimisht. Historia gjithmonë do ta ketë një vend me gërma të arta për familjen tuaj”, shkruan Pacolli në Facebook.

Sipas tij, një sakrificë aq e madhe, një therrori me çmim aq të shtrenjtë, për fat të mirë u shpërblye me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Vrasja e kësaj familjeje patriote që vdiq për flamurin e kombit tonë të përbashkët, kombit shqiptar ka qenë një ndër ngjarjet më të rënda në jetën time që e kam përkujtuar në librin tim “nga sfida në sfidë”. Ndaj besoj sot se të vrarët, burra, gra, pleq e fëmijë, me në krye simbolin e pavarësisë sonë, Ademin prehen të qetë në varrezat monumentale ku sot të gjithë brezat e kosovarëve betohen se do ta çojnë para veprën e tyre”, shkruan Pacolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat