Mustafa: Ushtria e Kosovës do të jetë një forcë model

Kosova

Mustafa: Ushtria e Kosovës do të jetë një forcë model

Më: 5 mars 2015 Në ora: 11:41

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë kanë nisur manifestimet treditore “Epopeja e UÇK-së”. Pas rivistës që kryeministri Isa Mustafa e komandanti i përgjithshëm i FSK-së, Kadri Kastrani i bënë para njësiteve të FSK-së dhe pas vendosjes së kurorave të luleve para lapidarit të Adem Jasharit, të pranishmëve u është drejtuar kreu i ekzekutivit.

Kryeministri Isa Musta, në fjalën e tij në Epopenë e UÇK-së ka thënë se Republika e Kosovës sot shënon një datë të veçantë të historisë së saj më të re, 5 marsin, ditën e rënies së Heroit të Kosovës, Komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Në Kazermën “Adem Jashario” në Prishtinë kanë nisur manifestimet treditore “Epopeja e UÇK-së”. Pas rivistës që kryeministri Isa Mustafa e komandanti i përgjithshëm i FSK-së, Kadri Kastrani i bënë para njësiteve të FSK-së dhe pas vendosjes së kurorave të luleve para lapidarit të Adem Jasharit, të pranishmëve u është drejtuar kreu i ekzekutivit. “Po ashtu, ne sot përulemi me nderim para kujtimit të të gjithë bashkëfamiljarëve të tij, të cilët u flijuan për lirinë e atdheut. Por, flaka që u ndez në vatrën e Jasharëve u shndërrua në një flakadan lirie duke u shtri në gjithë Kosovën dhe u rrit e u bë betim për jetën në liri. I dha hov UÇK-së, e cila bashkoi shqiptaret kudo që ishin. Në Kosovë dhe diasporë. Në të gjitha kontinentet shqiptaret ishin ushtarë të Kosovës. Kush më shumë e kush më pak por secili prej tyre ishte bërë pjesë e kësaj lufte dhe secili që merrte frymë me këtë bindje e ndihmoi lirinë e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se Ditët e Epopesë së UÇK-së nuk reshtën deri më 12 qershor 1999 kur Kosova u çlirua përfundimisht dhe së bashku me përkrahjen e botës demokratike nisi një fazë të re, atë të shtetndërtimit të paqes dhe zhvillimit .

“Nderimi për të rënët është nderim ndaj shtetit tonë, ngase duke e nderuar këtë ditë, institucionet më të larta të shtetit të Kosovës, njësitet e Forcës së Sigurisë, ushtrisë së ardhshme të Kosovës, e nderojnë themelin e patundur të pavarësisë. Në këtë ditë, krahas heroizmit të familjes Jashari që ndezi flakadanin e lirisë, me zemër dhe mendje i kujtojmë edhe shumë data që shënuan mosnënshtrimin ndaj pushtuesit; demonstratat e vitit 1968, të vitit 1981, grevat e minatorëve të Trepçës, shpalljen e Kushtetutës së Kaçanikut, filozofinë politike të doktor Ibrahim Rugovës, heroizmin e shumë bijave e bijve për lirinë dhe pavarësinë; kujtojmë dhembjen e familjet që kurrë nuk iu kthyen më të dashurit e tyre”, ka thënë Mustafa.

Edhe sot shprehim mirënjohjen më të thellë për përkrahjen e vendeve demokratike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s që në ditët më të vështira na dolën krah dhe së bashku me ta vulosëm lirinë tonë, ka thënë më tej kryeministri.

“17-vjetori i rënies së Adem Jasharit dhe bashkëfamiljarëve të tij e gjen Kosovën me shumë arritje; Republika e Kosovës, e njohur nga 108 shtete, anekënd globit, ka vënë marrëdhënie të ngushta me shumë vende të botës, duke e forcuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe duke shënuar rezultate të prekshme në çdo fushë të jetës”.

Transformimi i UÇK-së në TMK dhe i kësaj të fundit në FSK është vetëm një nga rrëfimet e shumta të suksesit të Kosovës së lirë, sovrane e demokratike.
“Kuptohet, procesi i avancimit të FSK-së do të vazhdojë më tej me themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, të cilat do të jenë forca moderne ushtarake, të pajisura me të gjitha cilësitë e nevojshme të një ushtrie të aftë për të siguruar stabilitet e paqe dhe për të marrë pjesë në misione humanitare e paqësore me synim që të ketë vendin e vet në NATO.
Shkurt, ushtria e ardhshme e Kosovës do të jetë një forcë model, një institucion pasqyrë e Kosovës reale, me gjithë koloritin e saj etnik e gjuhësor. Kjo ushtri do të krijohet sipas standardeve ushtarake e profesionale të NATO-s dhe do të jetë faktor shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e të gjithë rajonit. Kosova dhe të gjitha institucionet e saj i bashkëngjiten luftës së botës demokratike kundër terrorizmit dhe çfarëdo lloji të ekstremizmit”, ka thënë Mustafa./Kosovapress

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat