4 kandidatë, në garën për Avokat të Popullit

Kosova

4 kandidatë, në garën për Avokat të Popullit

Më: 5 mars 2015 Në ora: 09:38

Katër kandidatë, dy prej të cilëve me sfond politik kanë hyrë në listën e ngushtë të panelit intervistues të Kuvendit të Kosovës për Avokat të Popullit.

Paneli intervistues i Kuvendit të Kosovës ka përzgjedhur 4 nga 21 kandidatët në garën për Avokat të Popullit. Këta katër kandidatë, i janë dërguar të mërkurën Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore të Kuvendit të Kosovës.

Mazllum Baraliu, Shqipe Mala, Veton Vula dhe Suzan Novoberdaliu janë katër kandidatët që kanë marrë pikët maksimale të panelit intervistues prej 7 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesja e këtij paneli, Lirie Kajtazi i ka konfirmuar Radio Kosovës se 4 kandidaturat i janë përcjell Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, të cilin ajo e kryeson, dhe se të hënën do të shqyrtohen nga po ky Komision.

“Me rregullore kërkohen tri kandidatura por, ne i kemi dërguar 4 ngase dy kandidatët e fundit kanë pasur pikë të njëjta. Është një balancë gjinor dhe do të jetë Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore që do të vendos për 3 nga ata”, ka thënë Kajtazi.

Pavarësisht numrit të kandidatëve, paneli intervistues nuk ka mundur të lë anash kandidatët me sfond politik. Kështu në mesin e kandidaturave do të jetë Suzan Novoberdali ish deputete e Aleancës Kosova e Re dhe Mazllum Baraliu, njëri nga kandidatët për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjithashtu në garën e ngushtë mësohet se ka hyrë një kandidatë që po hetohet për një aksident me lëndime trupore në territorin e Shqipërisë.

Por, Kajtazi ka thënë se është plot një javë kohë për të verifikuar edhe njëherë përputhshmëritë ligjore të secilit kandidat.

“Për një deklarim politik ne i kemi detyruar ta nënshkruajnë një deklaratë që ata me marrë një përgjegjësi sepse shpesh ka ndodhë që paneli të vihet në lajthitje dhe kështu që përgjegjësinë morale e bartin ata vetë. Për të tjerat aq sa kemi pas informacion kemi vendos”, ka thënë Kajtazi.

Kjo është tentativa e dytë e Kuvendit për të zgjedhur Avokatin e Popullit, mandati i të cilit ka skaduar që prej 8 muajsh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat