Belgjika nuk i do azilkërkuesit nga Kosova

Kosova

Belgjika nuk i do azilkërkuesit nga Kosova

Më: 4 mars 2015 Në ora: 15:48

Sekretari i Shtetit për Migrim dhe Azil në Belgjikë, Theo Francken, në emisionin “Info-Box” të Radio Dukagjinit ka theksuar se është e pamundur që kosovarët të marrin azil politik në Belgjikë meqë, sipas tij, ata e konsiderojnë Kosovën si vend të sigurt.

“Qëndrimi ilegal në Belgjikë është tepër i dëmshëm. Kjo do të thotë se nëse keni familje dhe fëmijë, ju atyre nuk mund t’jua siguroni një të ardhme atje. Qëndrimi ilegal kurdoherë do të zbulohet dhe në zbulimin e pare do të deportoheni. Jeta në Belgjikë është e shtrenjtë dhe me qëndrimin ilegal aty është e pamundur të jetohet normalisht.

Ne kemi procedura të shkurtra për çdo azilërkues kosovar. Nuk jemi shtet ku ju mund të vini e të qëndroni sa të doni derisa të shqyrtohet kërkesa juaj për azil. Afati i shqyrtimit është 15-ditor dhe vetëm për 15 ditë do të kthehet përgjigja negative. Pra, janë vetëm 15 ditë sa mund të qëndroni në Belgjikë. Prandaj, mos humbni para”, ka thënë ai.

Francken - që ka nisur një fushatë në Kosovë, për parandalimin e migrimit ilegal - nuk e di numrin e saktë të kosovarëve që qëndrojnë ilegalisht në Belgjikë. Por, mendon se janë rreth 100 mijë të tillë, nga shtete të ndryshme të botës.

“Në dy muajt e fundit ka një rritje të azilkërkuesve nga Kosova. Pasi është ulur numri i azilkërkuesve nga Maqedonia dhe Shqipëria, assesi nuk duam që ky numër të rritet për shkak të kosovarëve. Prandaj, po ju them: mos e mësyni Belgjikën, sepse nuk do ta ndërtoni një jetë më të mirë atje”, thekson Francken.

Sipas tij, papunësia nuk është arsye për azil politik. Ndërsa, shprehet se shpreson që kampanjat e parandalimit të shteteve të Perëndimit dhe të Kosovës kundrejt migrimit, do të kenë ndikim pozitiv në uljen e kësaj vale të azilkërkuesve.

“Po e përsëris: secili kosovar që ia mësyn Belgjikës - do të kthehet. Ndërsa, për qëndrim ilegal mund të dënohen deri në gjashtë muaj burg. Sidoqoftë, kthimi e jo burgu është zgjidhja të cilën ne preferojmë ta bëjmë”, deklaron Francekn, për të cilin liberalizimi i vizave nuk do të ndihmojë në uljen e migrantëve.

“Liberalizimi i vizave për vendet e Ballkanit - si Maqedonia, Shqipëria e Mali i Zi - ka ndodhur pasi ata kishin një numër shumë të vogël të qytetarëve kanë kërkuar azil. Janë një varg kriteresh që duhet plotësuar për liberalizim, e ky numër i madh i azilkërkuesve që mësyjnë Perëndimin nuk e ndihmojnë këtë proces. Përderisa kjo ndodh, ky është një argument i keq që nuk e ndihmon fare liberalizimin”, ka thënë Francken në fund të bisedës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat