Selimi pyet Thaçin: Pse nuk the që edhe Serbia është kërcenim i vazhdueshëm ndaj Kosovës

Kosova

Selimi pyet Thaçin: Pse nuk the që edhe Serbia është kërcenim i vazhdueshëm ndaj Kosovës

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 4 mars 2015 Në ora: 14:22

Deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi duke komentuar deklaratën e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi ku i bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe NATO-s që të përshpejtojnë integrimin e vendeve të Ballkanit, në të kundërtën rrezikojnë përhapjen e ndikimit të Rusisë dhe të ekstremistëve islamistë, thotë se, nëse Hashim Thaçi iu është referuar burimeve apo evidencave të AKI-së ose të Inteligjencës së KFOR-it, atëherë do të duhej që këto të fundit ta pohonin ose ta bënin të kundërtën.

“Nëse Thaçi si Ministër i Jashtëm i ka këto evidenca nga burimeve tjera atëherë i njëjti duhet që të bashkëpunojë me AKI-në dhe NATO-n. Por, një gjë dihet se Ministri i Jashtëm nuk ka thënë diçka të re. Edhe ekstremizmi islamik, edhe Rusia, edhe çfarëdo ekstremizmi tjetër ngado që vjen është sfidë për sigurinë, jetën e qytetarëve dhe paqen, kudo”, pohon Selimi për gazetën “Bota sot”.

Selimi thotë që nuk e kupton se pse Hashim Thaçi nuk e ka evidencuar edhe Serbinë në rresht me Rusinë dhe ekstremizmin islamik si rrezik dhe kërcenim i vazhdueshëm ndaj Kosovës.

“Nëse Ministri i Jashtëm ka diçka më shumë se kaq e inkurajoj që të bashkëpunojë me institucionet e sigurisë vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë”, thotë Rexhep Selimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat