Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut, konstaton se Mon Balaj dhe Arben Xheladini ishin të pafajshëm

Kosova

Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut, konstaton se Mon Balaj dhe Arben Xheladini ishin të pafajshëm

Më: 4 mars 2015 Në ora: 14:01

Lëvizja Vetëvendosje e ka përshëndetur Opinion e shpallur dje nga Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut për Kosovën, i cili e ka konfirmuar pafajësinë e Mon Balaj dhe Arben Xheladinit, të vrarë nga policia e UNMIK-ut më 20 shkurt 2007 dhe pafajësinë e Zenel Zenelit dhe Mustafë Nerjovajt, të cilët ishin plagosur në të njëjtën ditë.

“Sot u konfirmua pafajësia e të gjithë atyre që protestuan në mënyrë paqësore më 10 shkurt 2007. Ne kemi pritur tetë vjet që Paneli të shqyrtojë rastin tonë. Vendosmëria jonë për të kërkuar drejtësi për bijtë tanë, dhe për të plagosurit nga policia e UNMIK-ut më 10 shkurt 2007, është përligjur sot”.

Opinioni konstaton se: UNMIK-u ka shkelur të drejtën themelore për jetë me veprimet që çuan në vrasjen e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt dhe plagosjen e rëndë të Zenel Zenelit dhe Mustafë Nerjovajt. UNMIK-u ka dështuar në përmbushjen e detyrimit të tij për të kryer një hetim efektiv të vdekjeve dhe lëndimeve. UNMIK-u ka shkelur të drejtën për tubim paqësor.

Në bazë të këtyre konkluzioneve Paneli rekomandon që UNMIK-u: Të pranojë publikisht përgjegjësinë për dështimin e tij për të mbrojtur jetën e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, si dhe për shkaktimin e lëndimeve të Zenel Zenelit dhe Mustafë Nerjovajt. T'iu kërkojë falje publike familjeve Xheladini dhe Balaj, si dhe Zenel Zenelit dhe Mustafë Nerjovajt. Të ndërmarrë hapa në drejtim të pagesës së kompensimit për dëmin moral për dhimbjen dhe vuajtjet e shkaktuara për familjet Xheladini dhe Balaj, dhe për Zenel Zenelin dhe Mustafë Nerjovajn. Të garantojë bashkëpunimin me çdo organ zyrtar të cilit i është dhënë autoriteti për të rihapur një hetim efektiv të këtij rasti. Të ndërmarrë hapa në Kombet e Bashkuara për të garantuar që këto shkelje të mos përsëriten.

Lëvizja Vetëvendosje i bënë thirrje Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm që të dëgjojë mendimin e Panelit dhe t’u përmbahet rekomandimeve të tij.

“Në veçanti, ne përsërisim thirrjen tonë për një hetim të pavarur dhe efektiv të ngjarjeve të 10 shkurtit 2007. Ne gjithashtu kërkojmë përgjegjësi në gjykatë për krimet e kryera nga UNMIK-u në këtë ditë, dhe i bëjmë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për heqjen e imunitetit të atyre që janë përgjegjës. Ne konstatojmë se në bazë të nenit 17.3 (Rregullorja 2006/12), PSSP-ja ka "autoritetin dhe diskrecionin ekskluziv për të vendosur se a duhet vepruar sipas konkludimeve të Panelit këshillues". Ne shpresojmë që kur të marrë vendimin e tij në lidhje me zbatimin e rekomandimit të Panelit, PSSP-ja do të vërë drejtësinë mbi të gjitha dhe do të riafirmojë besimin tonë në angazhimin e Kombeve të Bashkuara për të drejtat themelore të njeriut, dhe për dinjitetin dhe vlerën e njeriut”.

Aneks: Detaje të Opinionit të Panelit

1. Policia e UNMIK-ut ka përdorur forcë të tepruar (paragrafi 188);

2. Policia e UNMIK-ut ka dështuar në ushtrimin e kontrollit të duhur mbi municionin (paragrafi 188);

3. Policia e UNMIK-ut ka dështuar për t’u siguruar që oficerët ishin të trajnuar në mënyrë adekuate (paragrafi 188);

4. Policia e UNMIK-ut ka dështuar për t’u siguruar që oficerët kanë marrë urdhra të qartë (paragrafi 188). Nuk dihej qartë se kush ishte në komandën e përgjithshme të operacionit dhe vetë komisioneri i Policisë së UNMIK-ut kishte kontribuar në konfuzion (paragrafi 189). Nuk kishte asnjë zinxhir të qartë komandues dhe kishte komunikim të pamjaftueshëm (paragrafi 189);

5. Kishte një vonesë të pajustifikuar në marrjen në pyetje të zyrtarëve të Njësisë Policore të Formuar që morën pjesë në operacion (paragrafët 203-204). Kjo do t’u kishte dhënë policëve mundësi të mjaftueshme që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe për t’u siguruar që asnjë informacion në lidhje me përdorimin e plumbave të gomës nuk do të mbërrinte te hetuesit dhe, si rrjedhim, për të shtrembëruar të vërtetën (paragrafi 203). Nuk ishte marrë asnjë masë për të parandaluar atë çfarë kishte ndodhur (paragrafi 203);

6. Kishte dëshmi se policët rumunë të UNMIK-ut kanë marrë pjesë në hetim. Fakti i pjesëmarrjes së tyre asnjëherë nuk është bërë publik (paragrafi 216). Situata nuk kishte ofruar garanci të mjaftueshme për të përjashtuar çdo dyshim legjitim në lidhje me pavarësinë dhe paanshmërinë e hetimeve (paragrafi 217);

7. Hetimi nuk ishte mjaft i hollësishëm (paragrafi 228). Nuk kishte asnjë hetim për mënyrën e përdorimit të plumbave të skaduar të gomës dhe për përgjegjësinë e mundshme individuale penale të atyre që kishin lejuar që të ndodhte kjo (paragrafi 227);

8. Ka pasur edhe dështime në ekzaminimin mjeko-ligjor të provave të rëndësishme (paragrafi 225);

9. Nuk kishte asnjë parakalim të gjallë për identifikimin e policëve (paragrafi 224);

10. Paneli ishte i shqetësuar për mungesën e informacionit për çdo procedurë disiplinore kundër atyre që ishin përgjegjës për dështimet e mëdha administrative dhe organizative në këtë rast (paragrafi 231);

11. Ndërhyrja me forcë e oficerëve të policisë në demonstratë ishte joproporcional dhe i panevojshëm (paragrafi 267);

12. Granatat me gaz dhe plumbat e gomës ishin gjuajtur pa dallim në drejtim të turmës, edhe pse shumica e protestuesve nuk ishin duke u përpjekur të bënin diçka të dhunshme kundër policisë (paragrafi 263);

13. Disa pjesëmarrës ishin qëlluar qëllimisht me plumba gome, madje edhe kur ata nuk paraqisnin ndonjë rrezik (paragrafi 263);

14. Niveli i rrezikut për policët gjatë demonstratës ishte i ulët (paragrafi 264);

15. Reagimi i policisë është dashur të jetë selektiv dhe gradual (paragrafi 260), por nuk ishte;

16. Nuk kishte prova për të sugjeruar se demonstrata në përgjithësi, dhe veçanërisht se Mon Balaj, Arben Xheladini, Zenel Zeneli dhe Mustafë Nerjovaj, kanë paraqitur rrezik serioz për rendin publik (paragrafi 259). Ata nuk ishin të përfshirë në asnjë dhunë dhe nuk kishin qëllime të dhunshme (Ibid). Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat