Kosova rrezikohet nga politikanët e korruptuar, jo nga ndikimi rus dhe ekstremistët islamik

Kosova

Kosova rrezikohet nga politikanët e korruptuar, jo nga ndikimi rus dhe ekstremistët islamik

Më: 4 mars 2015 Në ora: 12:00

Por, a është Kosova e rrezikuar nga përhapja e ndikimit të Rusisë dhe të ekstremistëve islamistë? Në realitet Kosova nuk është e rrezikuar nga ekstremistët islami e as nga ndikimi i Rusisë, por është e rrezikuar nga politikanët tanë dhe nga padituria e tyre, vlerësojnë bashkëbiseduesit për gazetën “Bota sot”.

Publicisti dhe analisti politik, Nexhmedin Spahiu, thekson se, Thaçi ka folur si diplomat për ta tërhequr vëmendjen e perëndimit, por nuk është realiteti i tillë në Kosovë.

“Është e rrezikuar por jo aq sa nga padituria, mospasja e vizionit, krimi, korrupsioni etj. Thaçi ka bërë detyrën si diplomat, për të tërhequr vëmendjen e Perëndimit për Kosovën, por kjo nuk do të thotë se shprehë një realitet në Kosovë”, thotë Spahiu.

Kurse, ish eprori i lartë i UÇK-së, G2, TMK-së dhe pjesëtari i Shërbimit informativ të Kosovës (SHIK), Naim Miftari, pohon se, Hashim Thaçi është fajtori kryesor për të gjitha gjërat negative në Kosovë që nga viti 1998.

“Kosova nuk është në rrezik nga ekstremizmi e as nga ndikimi sovjetik, Kosova është në rrezik nga politikanët e korruptuar. Kosova është në rrezik nga ambasadorët e huaj që nuk bëjnë punën e tyre si ambasador, por kanë ardhë këtu dhe sillën si mbret”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Kurse, sa i përket, rrezikut nga ekstremistët apo nga rrymat e fundamentalistet e ISIS-it, rreziku është i vogël përveç nëse vet shteti ynë u jep hapësirë rrymave radikale ashti si ju kanë dhënë deri sot dhe atëherë rreziku vjen duke u rrit, por jo ashtu si ka thënë Hashim Thaçi.

“Sa i përket ndikimit rus, Thaçi është dashur të shpjegoj se a u takua në Bullgari gjatë vitit 2004-2006 më përfaqësues të firmave ruse të Gazpromit dhe të Llukilit, të cilat njihen si mbështetëse të Putinit dhe FSB-KGB”, thotë ai.

Miftari pohon se, Kosova është në rrezik nga vetvetja, nga njerëzit që bëjnë politika të gabuara dhe të dëmshme ndaj vendit tonë, pasi po këta politikanë së bashku me klanet e tyre paraqesin rrezikun kryesor ndaj vendit tonë.

“Këta politikan e kanë sjellë Kosovën, këtu ku jemi sot, ku gjakun e popullit tonë e kanë shndërrua në para, vila, pallate, vetura, jahte pushime e çka jo tjetër”, thotë Naim Miftari. Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat