VV në Prizren: Të arrestohet Nexhat Çoçaj

Kosova

VV në Prizren: Të arrestohet Nexhat Çoçaj

Më: 4 mars 2015 Në ora: 09:58

Lëvizje Vetëvendosje ka kërkuar arrestimin drejtorit të Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçajt dhe përshpejtimin e procedurave ndaj tij. Kurse, nga kryetari i kësaj komune, Ramadan Muja, Vetëvendosje ka kërkuar ta shkarkoj nga pozita këtë drejtor.
Sipas VV-së, skandalet e publikuara së fundmi flasin qartë për gjendjen e pashpresë në arsim, degradimi i së cilës filloi nga pushtetet e paraluftës dhe kulmoi në epokën e Nexhat Çoçajt.

“Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren shpreh habinë për mosveprimin e organeve të drejtësisë për pretendimet e shumta për parregullsi në këtë sektor. Sipas legjislacionit në fuqi, Prokuroria e Shtetit duhej të vepronte me automatizëm, sipas detyrës zyrtare, sa herë që flitet për vepra të cilat cenojnë ligjet në fuqi. Gjithashtu Këshilli Prokurorial i Kosovës duhej të vepronte sa herë që ndonjë prokuror nuk i përmbahet funksionit të tij zyrtar. Mirëpo kjo nuk po ndodh edhe kur Prokuroria Publike e Qarkut në Prizren ka zgjedhur heshtjen dhe dorëzimin para krimit, bile edhe në raste kur ka bashkëpunuar haptas me ata”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Sipas VV-së, kemi një situatë ku organet e ndjekjes nuk ndjekin keqbërësit, organet e drejtësisë nuk ndajnë drejtësi për abuzimet e pushtetarëve, kurse në rastet e procedimit të lëndëve ndaj aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë superproduktiv si në kohë ashtu edhe në procedura.

“Kjo flet për kapjen e tyre nga krimi. Këtë e dëshmon më së mirë hudhja poshtë e aktakuzave ndaj drejtorit të DKA-së Nexhat Çoçajt nga prokurorja Ervehe Gashi, në këmbim të punësimit të vajzës së saj në Qendrën për Kompetencë në Prizren. Mësimdhënësit e rinj nga shtatori e këtej nuk janë futur në lista të pagave me ç’rast nuk marrin pagë. Më shume se 10 vite mësimdhënësve nuk iu paguhet fare përvoja e punës. Po ashtu mësimdhënësve të cilët kanë përfunduar fakultetin pas LSHP-së nuk iu paguhet rritja e pagës. Shqetësuese mbetet mospagesa e mësimdhënësve udhëtarë që nga nëntori e këndej të cilët nga 2.50 cent në ditë harxhojnë para për udhëtim”, thuhet në komunikatë.

Ndër të tjera, në komunikatë thuhet Drejtoria e Arsimit është shndërruar në një strukturë të organizuar kriminale, duke keqpërdor mjete, duke futur militantë në punë, duke shtyrë qytetarë me shkolla të mesme të punojnë si mësimdhënës, duke emëruar struktura të partisë në pushtet pa kurrfarë kriteri ligjor.

“Keqpërdorimet fillojnë nga shitjet e blerjet e vendit të punës. Këto keqpërdorime fillojnë prej 500 euro deri në 6000”, thuhet në kumtesë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat