Tri shqetësimet e Krasniqit: RTK-ja, Agjencia për Verifikim dhe UP-ja

Kosova

Tri shqetësimet e Krasniqit: RTK-ja, Agjencia për Verifikim dhe UP-ja

Më: 3 mars 2015 Në ora: 18:20

Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me ngjarjet e fundit në vend.

Krasniqi thotë se lajmet që po qarkullojnë sot në medie janë secili më shqetësues se tjetri, për fatin e vendit dhe të Demokracisë.

“Njëri, 12 redaktorë të RTK-së. Të Televizionit Publik (televizionit që paguhet me paratë tona), së bashku me Sindikatën e pavarur të RTK-së, me të drejtë po e ngritin një shqetësim. Shqetësim për informimin publik i cili po dezinformon e selekton gjithçka e çdo gjë. Po thuhet se RTK-ja është bërë më zi se RTP-ja e Hajrie Spikericës?! Nëse vërtetë është kështu! Çka e si po informohemi nga mediumi që po financohet me paratë e publikut? Në cilin nivel është fjala e lirë në atë institucion informativ? A është duke funksionuar mbi bazën e ligjeve dhe të demokracisë që po e synojmë? A është televizion publik apo televizion i bandave informative?!”, pyet Krasniqi.

Shqetësimi i tij i dytë ka të bëjë me Agjencinë e Pavarur për Verifikim, për të cilën Krasniqi thotë se një Agjencion i tillë në kuadër të Kryeministrisë nuk mund të jetë i pavarur.

“Po thuhet se u formua një Agjenci e Pavarur për Verifikim në kuadër të Kryeministrit. Po cili Agjencion i pavarur funksionon në Kosovë që të funksionojë kjo Agjenci nën sqetullën e Kryeministrit apo te Kryeministrisë? Pse po na tregoni përralla dhe fyeni inteligjencën me shaka të tilla të pa kripë?! Si mund të jetë i pavarur një Agjencion në kuadër te Kryeministrit, kur asnjë e më asnjë institucion në Kosovë nuk është i pavarur? Këto përralla edhe derrin e plasin!”, shprehet Krasniqi.

Dhe shqetësimi i tij i tretë ndërlidhet me Universitetin e Prishtinës. Krasniqi thotë se për degradimin në të cilin gjendet sot UP është punuar tash e 16 vjet, si nga ndërkombëtarët ashtu edhe nga vendorët.

“I treti, Universiteti “Hasan Prishtina” paska degraduar edhe për 50 vende! Kjo edhe është pritur, pasi për ketë degradim është punuar që 16 vjet, si nga ndërkombëtarët ashtu edhe nga vendoret. Po tani çka thonë studentët, ata që më shumë se kushdo tjetër duhet të interesohen për ndryshimin rrënjësor në Universitetin Publik. Ata që duhet të kërkojnë një Reformë të gjithanshëm në Universitetin “Hasan Prishtina”! Pse ata protestojnë për gjëra krejt anësore? Kur ata do të vihen në shërbim te studimeve që do të janë në shërbim te tyre dhe të vendit te tyre – Republikës së Kosovës? Nuk ka asnjë dyshim, se veprimet e pa përgjegjshme të shoqërisë sonë e kanë sjellë ketë gjendje, por edhe studentët me politizimet e tyre i kanë ndihmuar, bile dhe shumë. Universiteti, kjo foltore e dijës është i kombit, i gjithë shtetasve të tij dhe i tillë duhet të mbetet. Por, jo me qasjen e deri tashme”, ka përfunduar ish-kryeparlamentari i Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat