Këshilli Prokurorial i përgjigjet Kushtetueses me dokumente

Kosova

Këshilli Prokurorial i përgjigjet Kushtetueses me dokumente

Më: 3 mars 2015 Në ora: 18:18

Këshilli Prokurorial i Kosovës mori vendim që t’i dërgojë Gjykatës Kushtetuese dokumentacioni që ata kanë kërkuar për përzgjedhjen e kryeprokurorit të Shtetit.

Disa nga anëtarët e këtij Këshilli e kanë quajtur jo ligjore kërkesën e Kushtetueses në lidhje me kërkesën e saj.

Anëtarja e këtij Këshilli Sevdije Morina tha se Gjykata Kushtetuese nuk ka të drejtë ligjore që të kërkojë informacione në hollësi siç i kërkon duke përcaktuar afate edhe për një proces që është plotësisht i ri.

“Unë mendoj se ne si institucion i pavarur kushtetues që udhëheq me sistemin prokurorial nuk guxojmë t’i lejojmë vetës që të preket të cenohet pavarësia e këtij institucioni”, tha Morina.

Ajo po ashtu tha se këtë odisejadë me kërkesa nuk guxojnë ta lejojnë dhe duhet të dalin në mbrojtje të institucionit

“Unë personalisht pres që presidentja e vendit ta dekretojë kandidatin të cilin ky këshill e ka votu, dhe nuk e ka votu dosido por e ka votu 5 anëtar prej 9 anëtarëve që me ligj duhet t’i ketë pas ky këshill dhe e ka votu 2 herë e gjysmë më tepër se anëtarët e Këshillit që e kanë votu, këtë askush në këtë vend nuk mundet me injoru”, tha ajo.

Anëtari tjetër Jetish Maloku tha se nuk mund të janë kundër kësaj kërkese, por siç tha nëse lexohet me vëmendje kjo kërkesë në faqen e dytë shihet qartë se gjuha e përdorur në fundin e kërkesës, e ka bërë të ndihet keq në këtë Këshill prokurorial, pasi po i sjell njëfarë mënyre para një akti, dhe sikur po i kushtëzon.

“Po më duket se njëfarë mënyre po vijmë në situatë se domosdo duhet ti përgjigjemi përndryshe na veç po e dimë sot se çka e pret një vendim të tillë. Kjo gjuhë më duket se është dashtë të ruhet në fund kur ne i përgjigjemi apo si përgjigjemi dhe Gjykata Kushtetuese është krejt autonome të vendos përkitazi me këtë çështje”, tha Maloku

E, Florent Muçaj tha se nuk e sheh këtë gjuhë të gjykatës si kërcënim por e sheh si një përshkrim të detyrimeve ligjore që ajo ka, pasi sipas tij, kushtetuesja ka detyrim ligjor që të veprojë edhe në bazë të praktikave në këtë mënyrë.

Muçaj shtoi se nëse dalin me qëndrime se mund ta kufizojnë atë nga informacionet atëherë kësisoj do të krijojnë një praktikë jo shumë të mirë të vet këshillit, se e ka kufizuar një institucion që garanton funksionimin dhe pavarësinë e institucioneve tjera kushtetuese.

Ndërkaq, Bajram Ukaj tha se edhe ato pjesë për të cilat ka mbetur pa u njoftuar kushtetuesja sipas kërkesës së saj në tërësi t’ia dërgojnë gjithë dokumentacionin dhe dosjen, pasi tek e fundit ajo është gjykatë e jona dhe jo e huaja dhe ajo mund të bëjë vlerësimin

Ndryshe përgjatë këtij takimi është diskutuar edhe për mandatet e anëtarëve të KPK-së, ku edhe në këtë pikë pati diskutime të shumta dhe me mospajtime të ndryshme rreth kësaj çështje, por kjo është shtyrë për takimin e radhës që do të mbahet të premten.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat