Thaçi: Rrezik nga ndikimi i Rusisë dhe IS-it

Kosova

Thaçi: Rrezik nga ndikimi i Rusisë dhe IS-it

Më: 3 mars 2015 Në ora: 16:35

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe NATO-s që të përshpejtojnë integrimin e vendeve të Ballkanit, në të kundërtën rrezikojnë përhapjen e ndikimit të Rusisë dhe të ekstremistëve islamistë.

Thaçi, duke folur për agjencinë Reuters, ka thënë se shpreson për rezultate të prekshme në muajt e arshshëm, siç është regjimi i ri i vizave të BE-së me Kosovën.

“Është koha kur Brukseli duhet të lëvizë nga retorika dhe fjalët e mira për Kosovën në masa konkrete”, ka thënë Thaçi në Berlin, pas takimit me ministrin e Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Ai po ashtu ka thënë se Prishtina e sheh këtë izolim të vazhdueshëm si “padrejtësi”.

Rusia ka tërhequr paralele midis aneksimit që i ka bërë Krimesë vitin e kaluar dhe mbështetjes ushtarake që i ka ofruar NATO-ja Kosovës më 1999.

Thaçi e ka hedhur poshtë këtë dhe ka thënë se e ardhmja e Prishtinës qëndron në “familjen euroatlantike”.

“Çdo vonesë në këtë proces është e rrezikshme. Hap rrugën për depërtimin dhe rritjen e ndikimit të Rusisë në aspektin politik, ekonomik dhe ushtarak”, ka thënë Thaçi.

“Po ashtu i hap rrugën Shtetit Islamik që të depërtojë në rajon dhe të ndikojë në rajon”, ka shtuar Thaçi për agjencinë Reuters.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat