Me listë nga Beogradi u bë integrimi i MUP-it serb në Policinë e Kosovës

Kosova

Me listë nga Beogradi u bë integrimi i MUP-it serb në Policinë e Kosovës

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 3 mars 2015 Në ora: 14:35

Pas integrimit të pjesëtarëve të MUP-it serb, në Policinë e Kosovës, asnjëri prej tyre nuk është verifikuar nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës. Kjo nuk është bërë pasi AKI-së nuk i është kërkuar një gjë e tillë.

Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se lista e pjesëtarëve të MUP-it serb, të cilët është dashur të pranohen në Policinë e Kosovës, u pranua ashtu siç ka ardhë nga Serbia.

“Mendoj që nuk është mirë që të krijohen dallime brenda Policisë së Kosovës duke u bazuar në përkatësi nacionale. Policët shqiptar të verifikohen e ata të nacionalitetit serb jo. Ky është gabimi fundamental që po bëhet brenda Policisë së Kosovës. Pra automatikisht vënia në pozitë të pabarabartë dhe dallimet në baza nacionale brenda pjesëtarëve të një prej segmenteve më të rëndësishme në infrastrukturën e Sigurisë së Kosovës. Ky mosverifikim automatikisht edhe ka ndikim në Sigurinë e Kosovës”, thotë eksperti i Sigurisë, Naim Maloku.

Kurse, Avni Islami, thotë se, individualisht, nëse ndonjë anëtarë i MUP-it serb ka kryer vepra penale, vrasje, krim të organizuar etj. atë duhet ta bëjë Prokuroria e Kosovës, natyrisht nëse AKI-ja gjen elemente të tilla duhet që të ia jep organeve përgjegjëse dhe si e tillë AKI-ja është larguar nga përgjegjësia e saj dhe i ka parapri politikës.

“Unë besoj se nga AKI-ja nuk është kërkuar që të bëhet një verifikim i tillë për pjesëtarët e MUP-it serb të cilët janë inkorporuar dhe mendoj se ky është një gabim i madh që është pranuar ajo listë, sepse ata pjesëtarë të policisë serbe të cilët janë tashmë pjesë e strukturave të Policisë së Kosovës, nuk i përgjigjen zingjirit komandues të Policisë së Kosovës, dhe në fakt ata përgjigjen vetëm aty ku është interesi i popullatës serbe, por jo edhe interesi nacional i Kosovës, pra kjo është çështje politike e cila është e ndikuar drejtpërsëdrejti nga Marrëveshjet Kosovë-Serbi”, thotë eksperti i Sigurisë, Avni Islami.

Islami për gazetën “Bota sot”, pohon se, veprimet politike ju kanë paraprirë pjesëtarëve të MUP-it të cilët janë inkorporuar në Policinë e Kosovës.

Sipas tij, kjo është bërë në aspektin politik, duke menduar se ky do të ishte vendim i duhur që kjo formë të përdorët për inkorporimin e pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme të Serbisë në Policinë e Kosovës.

“Ndërsa, sa i përket verifikimit të tyre, mendoj se AKI-ja as që është marr me këtë problem për arsye se lista e pjesëtarëve të MUP-it është dërgua direkt prej njerëzve relevant të cilët janë marr me këtë punë, pra ka qenë lista direkt e ndikuar nga mekanizmat e Sigurisë së Serbisë, kështu që Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës lista i ka ardhë në pako dhe si e tillë është dashur të pranohet që edhe para Bashkësisë Ndërkombëtare të del se ne kinse jemi për bashkëpunim me popullatën e pjesës veriore të Kosovës, konkretisht me ata serb dhe si e tillë AKI-ja nuk ka pasë çasje në verifikimin e figurave të tilla”, pohon Avni Islami.

Në anën tjetër, eksperti i Sigurisë Naim Maloku, pohon se, duhet ndryshuar kompetencat në verifikimet që aktualisht po behën.

Sipas tij, në shumë shtete, në të gjitha për të cilat ai ka njohuri, brenda çdo segmenti të sigurisë, në infrastrukturën e sigurisë së një vendi ekziston departament i veçantë për verifikimin e të punësuarve në atë segment.

“Kjo është rregulluar me qëllim që të evitohet "konflikti" në mes të segmenteve të sigurisë, sepse nëse një segment e verifikon tjetrin kjo në njëfarë mënyre e "nënshtron" njërin në raport me tjetrin. Në Kosovë është e rregulluar në atë mënyrë që AKI p.sh. verifikon policinë”, potencon Maloku për gazetën “Bota sot”.

Por, çka ka ndodhë, pyet ai, duke shtuar se një numër i madh i pjesëtarëve të policisë janë punësuar në AKI, vet ish drejtori Smaka ka qenë në polici, dhe të njëjtit kanë sjellë me vete në institucionin e ri, pra AKI, simpatitë dhe antipatitë për ish kolegët e tyre në radhët e policisë.

“Kjo ka pasë dhe ka ndikim direkt në procesin e verifikimit të pjesëtarëve të policisë nga AKI, pra nga ish koleget. Kjo është një çështje që për mendimin tim duhet të rregullohet në ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve për secilin segment të sigurisë dhe të njëjtat ligje duhet të miratohen në Kuvendin e Kosovës. Pra duhet të rirregullohen ligjet që i definojnë këto përgjegjësi”, thotë Naim Maloku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat