Buzhala: Veprimi i Devollit është marrëzi – do t’i padis

Kosova

Buzhala: Veprimi i Devollit është marrëzi – do t’i padis

Më: 3 mars 2015 Në ora: 14:23

Kundër linçim publik që kompania Devolli i ka bërë gazetarit të gazetës Express, Berat Buzhala, përmes disa bilboradave të vendosur në hapësira publike, ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Ky veprim është cilësuar i papranueshëm jo vetëm nga AGK-ja por edhe nga shumë qytetarë që me reagimet e tyre kanë vërshuar rrjetet sociale. Ndaj këtij veprimi të kompanisë Devolli kanë reaguar edhe Presidentja Jahjaga, kryeministri Mustafa, kryeparlamentari Veseli etj. Vetë gazetari Buzhala, veprimin linçues të kompanisë Devolli në një intervistë për Radio Kosovën, e ka cilësuar marrëzi:

“Jam i shokuar me dy gjëra. Nën një, me veprimin e tyre, dhe nën dy me përkrahjen kaq të madhe të gjithë shoqërisë, dhe jo vetëm për solidarizimin me mua, por për dënimin që i bënë e një akti të paprecedent të një kompanie, e cila vlerësohet që është më e madhja dhe më e fuqishmja financiarisht në Republikën e Kosovës. Për mua, veprimi i tyre, më shumë se sa një marrëzi, është një arrogancë dhe një besim i tepruar i tyre, që tash, ata meqë kanë arritur këtë pasuri kaq të madhe, munden me u sjellë qysh të duan në Republikën e Kosovës. Këtë herë, qytetarët dhe institucionet ju treguan se kjo gjë nuk është e mundshme, pra jo çdo gjë, blihet me pare edhe jo çdo gjë e prodhuar prej tyre, qoftë prodhim vendor apo i jashtëm, opinioni do ta hajë. Në këtë rast opinioni tregoi se nuk e hëngër një prodhim të tyre absurd dhe banal, që e bënë kundër meje dhe kundër kolegëve tjerë”, ka thënë ai.

I pyetur nëse ai dhe gazeta ku punon kanë pasur kërcënime, Buzhala u përgjigj:

“Kemi pasur mesazhe kërcënuese. Aktualisht e kemi shtuar sigurinë e Express-it me personel fizik, për shkak se mesazhet që janë dërguar kanë qenë që “biznesi i kësaj korporate është dëmtuar”. Unë mbaj përgjegjësi për këtë nëse është dëmtuar për shkak të shpifjeve që i kam bërë, por unë kam treguar hapur disa herë që jam në gjendje të përballem në gjykatë me dokumentet që i posedoj, që importi i grurit, i bërë prej tyre, është bërë në emër të kafshëve, dhe i njëjti është përdorë për nevoja të njerëzve, kështu që, po, ka pasur disa lloje të kërcënimeve. Kjo sigurisht që tingëllon pak patetike, mirëpo jo, nuk do të na ndalin në punën tonë që t’i zbardhim të gjitha këto fakte”.

Buzhala i tha Radio Kosovës për këtë sjellje të Kompanisë Devolli e cila ka shfrytëzuar hapësirat publike për ta linçuar atë, do të ushtrojë një kallëzim penal:

“ Aktualisht, avokati e ka dërguar një shkresë në Gjykatën e Qarkut, ose Gjykatën Themelore të Pejës, me anë të së cilës kërkon që të merret masa e përkohshme që Gjykata të urdhëroje heqjen e të gjithë posterëve. Sigurisht do të ketë edhe padi penale, sepse në kodin penal, shfrytëzimi i hapësirave publike për ofendime është i ndaluar me ligj dhe është vepër penale. Dënohet prej 3 muaj deri në 3 vjet burg. Patjetër që do t’i shfrytëzojë të gjitha rrugët ligjore, rrugë tjera nuk kam. Korporata Devolli është korporatë qindra-milionëshe e madhe, normalisht që financiarisht janë shumë ma të mëdhenj se sa Expressi dhe sa unë. Mirëpo, besoj dhe do të besoj në drejtësi, do të besoj në organet shtetërore, këto që i kemi ndërtuar dhe do ta çoj deri në fund, të drejtën time.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat