KMDLNj: Duhet të parandalohet më e keqja për posterët

Kosova

KMDLNj: Duhet të parandalohet më e keqja për posterët

Më: 3 mars 2015 Në ora: 14:21

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), thotë se midis linçimit publik dhe ekzekutimit fizik është vetëm një vijë e hollë ndarëse.

Prandaj sipas KMDLNj-së, është detyrim i organeve kompetente të merrem seriozisht dhe me urgjencë me rastin e billbordëve që u botuan për gazetarin Berat Buzhala dhe deputeten Margarita Kadriu, e sipas KMDLNj të parandalohet një e keqe e që pastaj të mos merremi me pasoja.

Në një shkrim të tyre thuhet se gazetaria hulumtuese është mundësia më e mirë për të kontribuar në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, evazionit fiskal, korrupsionit politik dhe dukurive tjera që e rrezikojnë sigurinë fizike dhe ekonomike të qytetarëve të shumë shteteve sidomos të vendeve në transicion sikur është Kosova duke e luhatur besimin në vet shtetin si dhe duke ua mohuar ardhmërinë qytetarëve.

“Për këtë arsye gazetarët hulumtues janë të penguar në kryerjen e punës së tyre dhe në jo pak raste, përveç kërcënimeve verbale ata sulmohen fizikisht, deri në rrezikim të jetës. Se në ç’masë rrezikohet puna e gazetarëve në Kosovë është “lufta me bilborda” që kohëve të fundit po bëhet kundër z. Berat Buzhala nga gazeta Express dhe znj. Margaritë Kadriu nga gazeta Kosova Sot që është edhe deputete në Kuvendin e Kosovës sikur që edhe z. Buzhala ishte deputet në legjislaturën e mëparshme. Lufta e bilbordave në disa qytete të Kosovës e prek rëndë dinjitetin e znj. Kadriu dhe z. Buzhala duke i shkelur rëndë të drejtat elementare të njeriut siç janë e drejta për punë, liria e fjalës dhe e shprehjes dhe e drejta për informim. Këta “bilborda” që në rastin konkret po përdoren si mjet presioni, shantazhi dhe kërcënimi duket se i kanë autorët që lehtësisht identifikohen prandaj KMDLNj kërkon urgjentisht të hiqen sikur që kërkon të fillojnë hetimet pas së cilave do të përcaktohej përgjegjësia për ata që qëndrojnë prapa bilbordave fyes, poshtërues dhe kërcënues”, thotë KMDLNj.

KMDLNj vlerëson se ajo çka shihet në këta “bilborda” është fyerja e cila i nënshtrohet përgjegjësisë penale në çdo vend, ku funksionon ligji dhe shteti i së drejtës.

Ata që mendojnë se biznesi i tyre apo reputacioni po dëmtohet për shkak të hulumtimeve të Gazetës Express dhe Kosova Sot e që i konsiderojnë si qëllimkëqija, kanë pasur dhe kanë mundësi të kërkojnë drejtësi para gjykatave kompetente e jo të nxisin urrejtje, nënçmim, kërcënim dhe diskualifikim moral dhe njerëzor duke keqpërdorur mundësitë materiale dhe ndikimet politike.

KMDLNj kërkon të krijohen mundësi që gazetarët të punojnë papengueshëm dhe të mos rrezikohen për punën e tyre sikur që bizneset gjithashtu të punojnë lirshëm në përputhje me ligjet në fuqi.

“Parimi i mosndëshkueshmërisë duhet të përjashtohet, edhe për gazetarët si dhe për bizneset nëse janë në kundërshtim me ligjin”, thotë KMDLNj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat