Mosverifikimi i ish-pjesëtarëve të MUP-it, shqetësim për sigurinë kombëtare

Kosova

Mosverifikimi i ish-pjesëtarëve të MUP-it, shqetësim për sigurinë kombëtare

Më: 3 mars 2015 Në ora: 09:48

Ekziston një raport i mosbesimit midis Kuvendit të Kosovës dhe Agjencisë kosovare të Inteligjencës në lidhje me objektivitetin e AKI në verifikimin e sigurisë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ky raport është i bazuar në faktin që procedura e verifikimit të sigurisë i jep mundësi AKI-së që të keqpërdorë informacionet e mbledhura gjatë kësaj procedure pa ndonjë kontroll efektiv institucional dhe gjyqësor.

Kështu thuhet në një raport për vlerësimin e procesit të verifikimit të sigurisë në Kosovë të publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

“Procesi i verifikimit të sigurisë përbën një ndër shtyllat më të rëndësishme të sektorit të sigurisë në vend. Megjithatë, pavarësisht se kemi të bëjmë me një sistem të ri të verifikimit, ai është komprometuar dhe sfiduar në masë të madhe për shkak të implikimeve politike, inviduale e klanore në vendimet për dhënien apo refuzimin e lejes së sigurisë për shërbyesit civil dhe personelin e policisë dhe inteligjencës. Si rrjedhojë, raporti identifikon defektet në implementimin e Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë si dhe dobësitë në definimin e vendimeve për refuzimin e lejeve të sigurisë”, thuhet në komunikatë.

Në këtë raport thuhet se mbrojtja juridike gjatë procedurës së verifikimit të sigurisë në kuptimin e të drejtave procedurale sipas Ligjit për Procedurën Administrative, sidomos sa i përket të drejtës së dëgjimit të palës dhe të drejtës në ankim administrativ, është e kufizuar.

“Mbikëqyrja e ligjshmërisë së procesit të verifikimit të sigurisë nga Komisioni parlamentar është e mangët, sepse deputetët përkatës nuk kanë leje të sigurisë dhe me këtë janë të kufizuar për të pasur qasje në dokumente të klasifikuara që janë të nevojshme për të kryer punën e mbikëqyrjes”, thuhet në raport.

Po ashtu vlerësohet se mospërfshirja e AKI-së në verifikimin e sigurisë të ish-pjesëtarëve të MUP mund të interpretohet si votë mosbesimin ndaj AKI nga vetë Qeveria e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar.

“Kjo po ashtu ngrit shqetësime nga aspekti i sigurisë kombëtare pasi që ka ish-pjesëtarë të MUP, tani pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qasje në informacione të klasifikuara pa kaluar nëpër verifikimin e sigurisë, siç kërkohet me ligj”.

Në raportin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë thuhet se mosverifikimi i gjykatësve cenon rëndë funksionimin e gjyqësorit dhe shkel të drejtën kushtetuese të qytetarëve për mbrojtje juridike efektive.

Më tej thuhet se pa mekanizmat e nevojshëm që sigurojë paanshmëri, objektivitet dhe profesionalizëm, verifikimi i deputetëve nga AKI mund të bëhet instrument i ndikimit të pushtetit ekzekutiv mbi pushtetin legjislativ në kundërshtim me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat