Kërkohet “resetim” i politikës ndërkombëtare ndaj Kosovës

Kosova

Kërkohet “resetim” i politikës ndërkombëtare ndaj Kosovës

Më: 2 mars 2015 Në ora: 11:10

Në Kosovë qytetarët vuajnë sigurisht për shkak të problemeve “vendore”, por kësaj i kontribuon edhe bashkësia ndërkombëtare me mosnjohjen e plotë të saj.
Ky është vlerësimi që e kanë bërë nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek, dhe eksperti austriak për Ballkanin, Vedran Dzihic.

Ata konsiderojnë se arsye për eksodin e qytetarëve të Kosovës në muajt e fundit është mungesa e liberalizmit të vizave.

"Duhet guxim për liberalizim të shpejtë të vizave, strategji efikase të zgjerimit të BE-së, dialog ofensiv me pesë anëtaret e tjera të Bashkimit Europian, të cilat s’e kanë njohur Kosovën, dhe një strategji e re inteligjente e migrimit ", kanë thënë Lunaçek e Dzihic, duke theksuar se problemet mund të zotërohen me “resetim “ të politikës së deritashme.

Lunaçek dhe Dzihiq, në tekstin e përbashkët, publikuar në gazetën "Standard", kanë thënë se Rona Nishliu para tri vjetësh nuk ka mundur të përfaqësojë në Eurosong Kosovën por Shqipërinë dhe ka zënë vendin e pestë; Majlinda Kelmendi, xhudiste, nuk ka mundur të marrë pjesë në Lojërat Olimpike në Londër, e reprezentacioni i futbollit të Kosovës mund të marrë pjesë vetëm në ndeshjet miqësore.

Po ashtu edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar situata është e njëjtë dhe Kosova nuk mund të bëhet anëtare e Europolit dhe e Interpolit 7 vjet pas pavarësimit, pasi pavarësinë s’e kanë njohur pesë vende, transmeton koha.net.

Po ashtu, ata kritikojnë pse Kosova nuk është anëtare e OKB-së, edhe pse deri më tash e kanë njohur 110 vende.

Lunaçek dhe Dzihiq po ashtu përkujtojnë edhe zvarritjet rreth nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit .

Lista e pengesës së pavarësisë Kosovë është e gjatë, thonë Lunaçek dhe Dzihiq, dhe kërkojnë që të largohen pengesat për funksionalizim të pavarësisë së saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat