PDK akuzon Hazirin për keqqeverisje

Kosova

PDK akuzon Hazirin për keqqeverisje

Më: 2 mars 2015 Në ora: 10:41

Ministria e Financave dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, kanë konstatuar se komuna e Gjilanit ka shkelur në dy raste ligjet e Republikës së Kosovës, dhe i kanë kthyer mbrapa dy vendime të komunës së Gjilanit, duke i kërkuar kryetarit Lutfi Haziri dhe kryesueses së Kuvendit Komunal, që të marrin hapa konkret që këto vendime të anulohen dhe që puna në institucionet më të larta komunale të bëhet në harmoni me ligjet në fuqi.

Komisioni i përbashkët i dy ministrive, pas vlerësimit të ligjshmërisë së rregullores komunale për ndryshime të taksave, ngarkesave dhe gjobave, ka konstatuar se vendimi i KK Gjilan është në kundërshtim me Ligjin e financave. Si dhe vendimin tjetër për dhënien e pronës publike në shfrytëzim, e cila është bërë nga Komuna e Gjilanit pa procedurë të konkursit, e që është në kundërshtim me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.

“Komuna e Gjilanit në seancën e Kuvendit të mbajtur në dhjetor të 2014-ës, kishte rikthyer taksat komunale për bizneset dhe kishte vendosur taksa të reja komunale deri në 500 euro në emër të lejes mjedisore për të gjitha fabrikat prodhuese, ndërmarrjet e ndryshme dhe bizneset për vogla me nga 200 deri në 350 euro. Edhe pse këto taksa për bizneset ishin hequr plotësisht në qeverisjen e PDK-së në këtë komunë”, thuhet në një reagim të Degës së PDK-së në Gjilan.

“Miratimin e kësaj rregullore edhe ne si këshilltarë të PDK-së e kemi kundërshtuar në seancën e Kuvendit Komunal të Gjilanit, sepse e kemi vlerësuar se kjo është çështje e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe është një ngarkesë e rëndë për bizneset e Gjilanit që të taksohen paarsyeshëm dhe jashtëligjshëm”, ka thënë Riad Rashiti nga PDK, sipas të cilit kjo rregullore ishte miratuar me vetëm 13 vota nga 35 sa ka gjithsej Kuvendi Komunal i Gjilanit.

“Qeverisja e Lutfi Hazirit, që nga fillimi ka bërë shkelje të shumta ligjore dhe procedurale, keqmenaxhim të Buxhetit Komunal, fshehje të raporteve zyrtare financiare duke tentuar që të paraqes pasqyra jo reale për shpenzimet enorme të cilat po ndodhin pa ndërprerë dhe dallavere të shumta me tenderët të kurdisur për biznese të caktuara dhe të preferuara të tij”.

“Ne si PDK, e çmojmë dhe e respektojmë punën e këtyre dy ministrive, lidhur me vlerësimin e drejtë të ligjshmërisë së vendimeve të komunës së Gjilanit, sepse vetëm kështu mund të kthehet puna ligjore dhe institucionale në këtë komunë, e cila është katandisur keq në qeverisjen e saj të dështuar dhe të dëmshme për të gjithë qytetarët e Gjilanit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat