Imeraj: Komisioni shtetëror i Kosovës, të ketë shumë kujdes në pretendimet e Malit të Zi rreth kufirit

Kosova

Imeraj: Komisioni shtetëror i Kosovës, të ketë shumë kujdes në pretendimet e Malit të Zi rreth kufirit

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 2 mars 2015 Në ora: 10:14

Shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës me 17 shkurt 2008 dhe njohja e saj nga vendet e ndryshme të botës, e posaçërisht nga vendet që kufizohet Kosova, ka hapur edhe çështjen e vendosjes së vijës kufitare, thotë PhD c. Shkodran Imeraj, hulumtues i pavarur shkencor në Institutin e Historisë së Kosovës.

Siç dihet Kosova, vijën kufitare me Maqedoninë e ka përfunduar, me anë të një procesi i cili nuk ka qenë edhe shumë publik e as transparent.

“Tashmë po dihet se Kosova apo më mirë me thëne Komisioni shtetëror i Kosovës, është në finalizimin e vijës kufitare me Republikën e Malit të Zi. Mundësia që Kosova të humbë rreth 40 kilometrat nga vija kufitare me Malin e Zi, me insistimin e vazhdueshëm të kësaj të fundit, është e pa pranueshme”, thotë Imeraj për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, institucionet tona duhet të këmbëngulin që vija kufitare të behtë në kufijtë ekzistues apo më mirë të themi me ata kufinjë që i ka njohur Kushtetuta e Federatës së Jugosllavisë me 1974, kur Kosova avancohet në nivelin më të lartë në kuadër të Federatës së Jugosllavisë si njësi autonome.

“Me këtë rast Komisioni shtetëror i Kosovës, duhet të ketë shumë kujdes, dhe duhet të jetë shumë vigjilent. Natyrisht, që në gjithë këtë problematik, duhet të vihen në funksion edhe institucionet shkencore si Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Instituti i Historisë së Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës si dhe studiuesit e ndryshëm, të cilët me dokumente dhe dëshmitë e tyre do të mund të i japin kontributin e tyre të rëndësishëm në gjithë këtë proces”, thotë ai.

“Këtu dua të them se shteti i jonë gjatë rrugës së ndërtimit dhe finalizimit të aspiratave tona, ka bërë një gabim shumë të madh dhe të pafalshëm, kur dihet se që nga bisedimet në Konferencën e Rambujes me 1999, e më pas në bisedimet e Vjenë për statusin e Kosovës si dhe tash në bisedimet teknike e politike me shtetin e Serbisë që po zhvillohen në Bruksel, po e bënë një gabim shumë të madh, që nuk konsultohet me institucionet shkencore e akademike të Republikës së Kosovës”, thotë Imeraj.

Historiani Shkodran Imeraj, thekson se, është shumë e kuptueshme që politika jonë duhet të i mbajë duart larg institucioneve shkencore, por në çështjet madhore, siç është tash edhe rastin i vendosjes së kufinjëve shtetërore, behët gabim që nuk ka anëtarë të komisioneve apo ekspert që vijnë ekskluzivisht nga fusha akademike si dhe nga institucionet e lartë përmendura shkencore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat