Anton Quni flet për Gjykatën Speciale: LDK-ja nuk do ta cenojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës

Kosova

Anton Quni flet për Gjykatën Speciale: LDK-ja nuk do ta cenojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës

Nga: Mimozë Lakna Më: 2 mars 2015 Në ora: 09:52

Deputeti LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Anton Quni, thotë për “Bota sot”, se kjo parti është e interesuar që Gjykata Speciale të mos diskutojë dhe as mos të trajtojë përgjegjësi kolektive qoftë të UÇK-së, qoftë të Kosovës, pasi as Gjykata e Hagës nuk e ka bazuar veprimtarinë e saj në përgjegjësi kolektive, por në përgjegjësi individuale.

Sipas tij, kjo Gjykatë duhet të përfshijë edhe zbardhjen e krimeve të pasluftës, nga të cilat kanë pësuar shumë zyrtarë të lartë të LDK-së, ushtarakë dhe personalitete tjera publike.

“Derisa ende është duke u punuar nga ekipi teknik i Kosovës dhe nga bashkësia ndërkombëtare, dhe derisa ne si Kuvend nuk e kemi draftin përfundimtar, nuk mund të shprehemi me saktësi se çka do të përmbajë dhe çka do të mund të diskutojmë. Si LDK, sigurisht që jemi të interesuar që kjo Gjykatë të mos diskutojë dhe as mos të trajtojë përgjegjësi kolektive qoftë të UÇK-së, qoftë të Kosovës, pasi as Gjykata e Hagës nuk e ka bazuar veprimtarinë e saj në përgjegjësi kolektive, por në përgjegjësi individuale; të përfshijë edhe zbardhjen e krimeve të pasluftës, nga të cilat kanë pësuar shumë zyrtarë të lartë të LDK-së, ushtarake dhe personalitete tjera publike. Dhe në këto dy çështje ne si LDK jemi të përkushtuar dhe do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të kihen parasysh dhe të qartësohen dhe saktësohen edhe me amendamente të mundshme ligjore. Sa i përket përgjegjësisë kolektive qoftë të UÇK-së apo të Kosovës jemi të vendosur dhe kemi edhe garanci ndërkombëtare se nuk bëhet fjalë për përgjegjësi kolektive e as përpjekje për inkriminim të UÇK-së apo të Kosovës”, potencon Quni.

Quni, konsideron se çështja e Gjykatës Speciale është çështje e ndjeshme, që kërkon kujdes dhe qasje shumë serioze, dhe si e tillë nuk është çështje e vullnetit politik që ka njëra apo forca tjetër politike e Kosovës.

“Qysh gjatë legjislaturës së kaluar është shtruar kjo çështje nga aleatët tanë perëndimorë, kurse nga ne, nga institucionet tona: presidentja, qeveria e Kuvendi është kërkuar një angazhim i përgjegjshëm dhe i qartë në drejtim të hapave tekniko-ligjorë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe të ligjit për themelimin e kësaj Gjykate. Si e tillë, kjo çështje është sa e ndërlikuar, aq edhe përcaktuese për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe për marrëdhëniet me shtete dhe institucione ndërkombëtare. Një ekip qeveritar në krye me ministrin e Drejtësisë ka kohë që është duke punuar me bashkësinë ndërkombëtare për të përcaktuar, qartësuar dhe saktësuar objektin e Gjykatës speciale, kompetencat e saj, bazën ligjore, afatin kohor të funksionimit të saj dhe të çështjeve të përfshira nga ajo”, thekson deputeti Quni.

Nga ana tjetër, ai e vlerëson si mjaftë të rëndësishme përkrahjen ndërkombëtare për Kosovën, duke theksuar se LDK-ja do të ketë kujdes që të mos cenojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës, e as marrëdhëniet me aleatët dhe me shtete të tjera.

“Ambasadorja amerikane, Trejsi An Jackobson, tha se bëhet fjalë vetëm për 10 raste. Kurse sa i përket krimeve të pasluftës, do të shihet mundësia që të zgjatet afati kohor i çështjeve që përfshihen. Megjithatë, LDK si forca më serioze dhe më e përgjegjshme politike që nuk e ka në frymën e saj populizmin dhe lojën politike në dëm të interesave të vendit, do të ketë kujdes që të mos cenojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës, e as marrëdhëniet me aleatët tanë dhe me shtete të tjera. Kosova po synon njohje të reja si dhe anëtarësim në organizma ndërkombëtarë, ashtu siç po synon edhe të krijojë Forcat e Armatosura. Asnjërën nga këto nuk mund ta bëjmë pa pasur mbështetjen e vendosur të bashkësisë ndërkombëtare, sidomos kur të kemi parasysh kontekstin juridiko-kushtetues dhe kontekstin gjeopolitik e gjeostrategjik të Kosovës”, shprehet Quni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat