Lumezi porosit Kushtetuesen: Unë jam kryeprokurori

Kosova

Lumezi porosit Kushtetuesen: Unë jam kryeprokurori

Më: 1 mars 2015 Në ora: 23:08

Në një intervistë për emisioni “Drejtësia në Kosovë”, Kryeprokurori i zgjedhur Prokurorisë së Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka dhënë porosi të qarta për Gjykatën Kushtetuese dhe presidenten.

Lumezi është shprehur i bindur se Presidentja nuk ka rrugë tjetër përpos ta dekretojë atë në këtë pozitë në të cilën e zgjodhi dhjetë ditë më parë Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Kushtetuesja, sipas Lumnezit, nuk ka mandat të merret me konkursin ku ai është zgjedhur Kryeprokuror.

”Unë pres që Presidentja ta kryejë detyrën e vet kushtetuese dhe sa jam unë i njoftuar Presidentes i ka mbetur vetëm ta kryejë aktin final, ta kryejë dekretin”, ka thënë Lumezi.

Një javë më parë, Këshilli Prokurorial i Kosovës vendosi që me 5 vota pro dhe 2 kundër ta propozojë Aleksandër Lumezin për dekretim tek Presidentja e Kosovës.

Përzgjedhja e tij në këtë pozitë erdhi pas një procesi të kaluar me tensione, për shkak të tërheqjes së pesë pretendentëve të tjerë për Kryeprokuror, të cilët u tërhoqën nga gara me pretendimet se procesi kishte degraduar.

Procesi është bllokuar në këtë fazë për shkak të ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese e cila kërkoi informacione shtesë nga Këshilli Prokurorial rreth procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit.

Mirëpo, për Lumezin kërkesat e Gjykatës Kushtetuese nuk paraqesin problem.

“Unë jam jurist dhe i kam shqyrtuar të gjitha dispozitat e ligjit dhe sipas vlerësimit tim nuk ka mundësi as Presidentja e as Gjykata Kushtetuese të merren me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit”, është shprehur Lumezi.

Kandidati i vetëm për Kryeprokuror të Shtetit është shprehur i bindur se përzgjedhja e tij nuk do has në ndonjë pengesë mirëpo nëse kjo ndodhë atëherë sipas tij po shkelen ligjet.

“Nëse do ketë pengesë nga institucionet relevante atëherë unë e konsideroj se institucionet do të ushtrojnë një të drejtë arbitrare e cila nuk është në përputhje me ligjin”, ka thënë Lumezi.

Ai ka folur edhe për dyshimet se zyrtarë të Këshillit Prokurorial ishin përfshirë në shantazhe e poashtu mundësinë që njerëz të administratës së Prokurorisë të kenë ndihmuar dhe favorizuar kandidat të caktuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat