Vjosa Osmani: Thaçi s’do të bëhet President

Kosova

Vjosa Osmani: Thaçi s’do të bëhet President

Më: 1 mars 2015 Në ora: 15:27

Vetëm pak ditë pasi Kryeministri Isa Mustafa deklaroi se Thaçi do të bëhet President bazuar në marrëveshjen PDK-LDK, ka folur Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se do të bashkohen me deputetët tjerë për të bërë kuorumin për zgjedhjen e Thaçit President.

Nëse dështon zgjedhjet e liderit të PDK’së në krye të shtetit, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në prill të vitit të ardhshëm, edhe kur edhe i skadon mandati Atifete Jahjahës.

“Po është krejt e natyrshme që kundërshtimi im ka qenë një kundërshtim ndaj koalicionit në tërësi, që vota ime nuk do të shkoj për Hashim Thaçi president. Mendoj që Hashim Thaçi në krye të shtetit nuk do t’i bënte nderë Kosovës, prandaj edhe nuk shoh arsye për ta votuar. Dhe, shpresoj po ashtu që do të ketë një numër mjaftë të madh të deputetëve që do ta refuzojnë një propozim të tillë, duke pamundësuar edhe kuorumin në ditën kur vjen ky propozim në Kuvendin e Kosovës”, tha Osmani për Kosovapress.

Deputetja e cila ishte më e votuara femër në zgjedhjet e fundit, thotë se nga ajo që sheh ajo, ka një vullnet mjaftë të madh të deputetëve që mos ta përkrahin Hashim Thaçin për president të vendit dhe të pamundësojnë kuorumin në ditën kur një propozim i tillë të shkoj në Kuvendin e Kosovës.

Osmani thekson se do të bashkëpunoj me secilin deputetë të Kuvendit, qoftë të LDK-së apo edhe të partive tjera, i cili mendon se ka kandidat tjetër më të mirë për president se sa Hashim Thaçi.

“Natyrisht që unë do të bashkëpunoj me secilin deputetë të Kuvendit të Kosovës pavarësisht a është nga LDK-ja apo nga partitë e tjera i cili apo e cila mendon njëjtë që Kosova ka kandidat me të mirë që të zgjidhen president të vendit. Dhe është krejt e natyrshme që unë mos ta votoj Thaçin për president sepse kam kundërshtuar që nga fillimi koalicionin dhe kam kundërshtuar marrëveshjen në tërësi, jo vetëm një pjesë”, shton ajo.

Edhe deputeti tjetër nga LDK-ja, Adem Salihaj nuk do t’i bindet shefit të tij që ta votoj Hashim Thaçin për president.

Ai ka shprehur qëndrimin e tij kundër ish kryeministrit që të zgjedhet President sipas marrëveshjes së koalicionit qeverisës PDK-LDK.

“Mendoj që nuk i bënë mirë Kosovës që një kryeministër që ka lejuar për vite të tëra që krimi ta mbërthej shtetin e Kosovës në të gjitha sferat e tij, tash të jetë edhe president i Kosovës dhe për një mandat 5 vjeçar ta dëmtoj sërish Kosovën. Unë mendoj që kjo nuk i bënë mirë Kosovës, nuk i bënë nderë. Kosova është vlerësuar shumë negativisht në aspektin e luftimit të krimit, korrupsionit, të hajnive të llojllojshme dhe Hashim Thaçi ka qenë kryeministër dhe ka përgjegjësi për këto. Prandaj do të ishte e palogjikshëm, nuk do të jetë aspak në të mriz të Kosovës që ai të jetë president i Kosovës, sepse kjo nënkupton që të gjitha ato të këqija që kanë qenë me vite gjatë qeverisjes së tij në një formë do të vazhdojnë përsëri dhe unë jam i bindur se do ta dëmtojnë Kosovën”, thotë Salihaj.

Përveç deputetëve të LDK-së që janë kundër Hashim Thaçit president, edhe partitë e opozitës do të jenë kundër një kandidature të Hashim Thaçit për të parin e shtetit.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi shprehet se Isa Mustafa kryeministër është projekt i Hashim Thaçit, që të përfitoj nga votat e LDK-së, për t’u bërë president Thaçi në vitin 2016.

“Pra e tërë kjo është projekt i Thaçit që i bie se edhe vet Mustafa të jetë brenda projektit të Thaçit. Tash ne do të vijmë në një situatë kur do t’i skadoj mandati presidentes dhe normalisht që ne do të jemi fuqishëm kundër këtyre kalkulimeve, kundër këtyre llogaritjeve në kurriz të interesit qytetarëve dhe kundër këtyre skemave që janë më shumë skema të nëntokës politike se sa projekte politike”, shprehet Selimi.

Megjithatë realizimin e marrëveshjes dhe zgjedhjen e liderit të tyre në postin e kreut të shtetit, e presin deputetët e PDK-së.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, pret që të jetë një konsensus i koalicioni për zgjedhjen e Hashim Thaçit në postin e presidentit.

“Pres që kjo marrëveshje ndërmjet dy liderëve Thaçit dhe Mustafës të respektohet, sepse do të ishe parimore edhe para qytetarëve të Kosovës dhe para gjithë anëtarësisë së PDK-së dhe LDK-së që të ketë një konsensus politik. Në të kundërtën unë mendoj që është edhe në vullnetin e vet deputetëve të Kuvendit, votimi do të jetë brenda Kuvendit të Kosovës dhe pres që ne si deputet të reflektojmë. Unë besoj që ne si PDK do të jemi pro emërimit të Ministrit të Punëve të Jashtme Hashim Thaçi si president i Kosovës. Kjo mbetet të shihet sepse do të votohet në Parlament dhe do të jetë e hapur për opinionit publik”, theksoi deputetja Deliu.

Deputetja Deliu pret që edhe kuorumi brenda sallës do të jetë i nevojshëm që votimi të zhvillohet dhe Thaçi t’i marr votat e nevojshme për zgjedhjen në krye të shtetit për një mandat pesë vjeçar.

Mandati i presidentes Atifete Jahjaga përfundon në mars të vitit 2016 dhe sipas marrëveshjes së koalicionit PDK-LDK, menjëherë, ish kryeministri Hashim Thaçi, do të nominohet nga partia që ai drejton për ta marr postin e presidentit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat