Albin Kurti i dorëzon detyrën, Visar Ymeri kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje

Kosova

Albin Kurti i dorëzon detyrën, Visar Ymeri kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje

Nga: Mimozë Lakna Më: 1 mars 2015 Në ora: 08:24

(E plotësuar) Visar Ymeri është shpallur kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo u bë e ditur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Ymeri u zgjodh në postin e të parit të Vetëvendosjes me 97.42% të votave.

Albin Kurti, kryetari i parë i Lëvizjes dhe themeluesi i saj ia dorëzoi detyrën kryetarit të ri dhe falënderoi anëtarësinë e Lëvizjes Vetëvendosje për kontributin e dhënë që Lëvizja Vetëvendosje të jetë aty ku është sot.

"Ky Këshill i Përgjithshëm edhe ma ftohë mendjen edhe ma ngrohë zemrën, bashkë me kryetarin e ri dhe kryesinë e re ne jemi të Kosovës e të Kombit Shqiptar, jemi të Republikës dhe të popullit, jemi të lirisë dhe të barazisë, jemi të shoqërisë e të drejtësisë kurse ardhmëria është e jona.

Ne jemi vënë në lëvizje nga ideja e Vetëvendosjes dhe e kemi bërë këtë ide një Lëvizje që t`i shërbej popullit gjithmonë për të vendosur vet. Secili prej nesh, pavarësisht vetëmohimit dhe sakrificave, pavarësisht angazhimit dhe kontributit ka përfituar më shumë prej Lëvizjes Vetëvendosje se sa që Lëvizja ka fituar prej nesh. Lëvizja është shumë më e madhe se sa çdonjëri prej nesh, Lëvizja është më e madhe se sa të gjithë ne së bashku prandaj të gjithë ne bashkë dhe secili me njëri tjetrin duhet të lëvizim edhe më shumë edhe më gjatë edhe drejtë edhe mirë edhe pandalshëm përpara", tha Kurti.

Ndërsa, kryetari i ri i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri tha se nuk do të kursehet në kontributin e tij për Lëvizjen deri në bërjen e shtetit.

“Ashtu siç nuk u kursyet kurrë ju, ashtu nuk do të kursehem as unë, në punë, në demonstratë e protestë në publik e në medie. Organizata jonë është organizata më demokratike në Republikën e Kosovës për shkak se është e barabartë dhe insiston në barazinë ndërmjet aktivistëve”, u shpreh Ymeri.

Sipas Visar Ymerit, Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës ka intensifikuar ofendimin dhe përdhosjen ndaj qytetarëve duke filluar nga “deklarimet skandaloze të Mustafës për përgjegjësinë e prindërve për humbjen e jetës së fëmijëve shqiptarë në Hungari e deri te deklarata e fundit e Stavilecit për madhësinë e familjes si shkaktare të mjerimit social të qytetarit të Kosovës e shpërfaqin refuzimin kategorik të zyrtarëve qeveritar që të marrin përgjegjësi për situatën ekonomike e sociale në vend”.

"Kudo ku ka padrejtësi, kudo ku ka cenim të interesit të përgjithshëm Lëvizja Vetëvendosje do të jetë aty bashkë me qytetarin kundër padrejtësisë dhe kundër shkeljes e cenimit të interesave. E padrejtësi e cenim të interesit ka kudo : Te marrëveshjet me Serbinë që po e cenojnë shtetin e po e ndajnë territori, te refuzimi i shnëdrrimit të Trepçës në ndërmarrje publike që po ia vazhdon asaj amullinë shumë vjeçare që po e shkatërron atë, te tenderi për Termocentralin Kosova e re që po ia heq Kosovës mundësinë për t`u bërë sovran mbi resurset energjetike dhe përdorimin e tyre për zhvillim e mirëqenie, ndërkohë që e kanosë qytetarin me shtrenjtim të çmimit të energjisë, te Gjykata Speciale që po e shtrembëron të vërtetën për luftën e po e tjetërson sovranitetin vendor në gjyqësi, te kontrata me Bechtel Enken që po e shpërdoron paranë publike të Kosovës për projekte super të shtrenjta pa ndonjë planifikim ekonomik", tha ndër të tjera ai.

VV sot publikon rezultatet për kryetar

Lëvizja Vetëvendosje sot shpallë rezultatet e zgjedhjeve për kryetar të kësaj Lëvizje.

Zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje janë mbajtur më 21 dhe 22 shkurt në 200 vendvotime të hapura anembanë Kosovës si dhe në 6 shtete të Evropës.

Kandidati i vetëm për të marrë timonin e Lëvizjes që deri më tani është drejtuar nga Albin Kurti, është Visar Ymeri.

Nga kjo lëvizje, zgjedhjet e brendshme vlerësohen të lira, të ndershme dhe demokratike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat