Kërkohet ndihma e ndërkombëtarëve për t’i bindur serbët të votojnë FAK-un

Kosova

Kërkohet ndihma e ndërkombëtarëve për t’i bindur serbët të votojnë FAK-un

Më: 28 shkurt 2015 Në ora: 11:15

Deputetët e pozitës në Kuvend e shohin si mjaftë të vështirë votimin për FAK-un. Nuredin Ibishi deputet i LDK-së kërkon ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në këtë rast. Ndërsa deputeti i partisë opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi thotë se duhet ndryshime në kushtetutë për tu hequr nevoja për votim të shumicës së dyfishtë.

Votimi për amandamentimin e ligjit të FSK-së, për shndërrimin e kësaj force në FAK, po del të jetë një sfidë serioze për qeverinë.

Pozicionimi kundër themelimit të Forcave të Armatosura i Listës Serbe, si dhe bojkotimi i depuetetëve të kësaj force politike në Kuvend, pas shkarkimit të ish-ministrit Aleksandar Jabllanoviq, po i nxjerrë probleme të mëdha dy partnerëve kryesor të koalicionit qeverisës PDK-LDK.

Përkundër ndryshimeve të bëra nga ministria e FSK-së në këtë ligj dhe dërgimi i tyre në Qeveri, këta të fundit nuk e kanë të sigurt nëse e gjithë kjo punë do t’i finalizohet me sukses kur të dërgohet për votim në Kuvend.

Sa vije e afrohet koha për votimin e shndërrimit të FSK-së në FAK, deputetë të pozitës dhe opozitës shfaqin skepticizëm për kalimin e këtij votimi.

Votimi i transformimit të FSK-së në FAK kërkon ndryshime kushtetuese, dhe si rrjedhojë, në bazë të kushtetutës çdo ndryshim i aktit më të lartë juridik në vend kërkon shumicën e dyfishtë të votave, përfshirë edhe shumicën e deputetëve të partive të komuniteteve pakicë.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për punë të Brendshme, Siguri dhe mbikëqyrje të FSK-së, Nuredin Ibishi është i vetëdijshëm për problemet që mund t’i shkaktojë bojkotimi i Listës Serbe në rast të këtij votimi.

Ai në një prononcim për lajmi.net ka shprehur nevojiten negociata me përfaqësues të kësaj liste.

“Nga votat e pakicave ne kemi qenë peng që moti, që nga pakoja e Ahtisaarit dhe vazhdon të jetë problem. Mendoj që gjërat do të lëvizin në këtë moment mjaft delikatë”.

“Duhet të bisedohet me pakicat, sidomos me ato serbe, jo me kushtëzime, por realisht për nevojën për të zgjidh problemin”.

“Duhet ta kuptojë edhe bashkësia ndërkombëtare që ne nuk mund të jemi peng i çështjes siç është kjo tani”.

Ibishi thotë se në këtë rast ndërhyrja e ndërkombëtarëve do të ishte krucaile në zgjidhjen e këtij problemi.

“Atë e shoh prioritet, sepse nuk është vetëm çështja e shndërrimit të FSK-së, por edhe Gjykata Speciale. Por po e përsërisë ne duhet te jemi të kujdesshëm që si parlament apo si qeveri që të mos kushtëzohemi që ta shfrytëzojnë momentin ata për kërkesat e veta”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, anëtarë i këtij komisioni, Rexhep Selimi, ka thënë se Kuvendi së pari duhet të bëjë ndryshime kushtetuese ku do të largohej vota e dyfishtë e cila, sipas tij, i jep të drejtën e vetos deputetëve serbë.

Sipas tij, në rrethanat aktuale, deputetët serbë do të kenë çdo herë ekskluzivitetin për thënë fjalën e fundit për çështje të rëndësishme për shtetin.

“Kosova ka mundësi dhe dëshirë për ta bërë ushtrinë e vet, por krejt këto kanë mbetur në vullnetin e Beogradit, vullnet i cili transmetohet në Kuvendin e Kosovës, përmes Listës Serbe, e cila ka lojalitet absolut ndaj qeverisë së Beogradit e jo të Kosovës”.

“Nuk do duhej të ndodhte kështu, prandaj këto janë edhe dimensionet dhe segmentet e Kushtetutës së Kosovës të cilat ne edhe i kemi kundërshtuar, sepse sa herë i kemi kundërshtuar ne kemi menduar për këso situatash, ku të drejtën e vetos për të vendosë për ushtrinë e Kosovës dhe për gjithçka që është esenciale në Kosovë, e kanë minoritetit serb, prandaj nuk do duhej të ndodhte kështu”.

“Ne kërkojmë ndryshimin e Kushtetutës fillimisht, që askush të mos ketë të drejtën e vetos për çështjet vitale për Kosovën”, ka thënë Selimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat