Haradinaj kërkon që vendi të shkoj në zgjedhje

Kosova

Haradinaj kërkon që vendi të shkoj në zgjedhje

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 21:45

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se sa më shpejtë që Kosova të shkojë në zgjedhje është më mirë për vendin.

Duke folur për gati 100 ditë qeverisjeje të Qeverisë PDK-LDK, Haradinaj ka thënë se kanë pasur plan që t’u japin hapësirë 100 ditë për ndonjë përmirësim të gjendjes, por sipas tij këtë hapësirë qeveria e re nuk ia ka lënë vetes.
Për të gjendja e krijuar në Kosovë, përfshi gjendjen e rëndë ekonomike, migrimin e korrupsionin do të mund të përfundojë vetëm me zgjedhje të reja.

“Me 20 mars diku ata i bëjnë 100 ditë dhe e shihni ku jemi. Nuk bëhet fjalë për asgjë serioze, me çështje me angazhim me të gjitha. Nuk pres prej tyre asgjë”.

”Nuk ka mënyrë tjetër, se çfarëdo koordinimi edhe nëse këta dy do t’i thirrnin gjithë partitë, prapë nuk ndryshon gjendja, sepse sinjali nuk pranohet tek qytetarët. Vendin duhet ta qojmë në zgjedhje”.

“Sa më shpejtë që ta qojmë Kosovën në zgjedhje është më mirë për Kosovën. Dalja nga kjo qeverisje e gabuar mund të bëhet vetëm me zgjedhje”, tha ai në një intervistë për “Debat” në RTK.

Ndryshe nga kjo, ai thotë se qeveria e re nuk ka për të qëndruar gjatë.

“Kjo gjendje e qeverisjes që ekziston nuk mund të qëndrojë, nuk është se po flet opozitari. Kjo kështu si është nuk mund të qëndrojë, do ta ketë një epilog”.

Haradinaj ka kritikuar edhe ministrin Stavileci, për deklaratat mbi organizimin familjar i cili tha se ata të cilët kanë 300 euro rrogë nuk duhet t’i bëjnë nga 7 fëmijë.

Siç tha Haradinajt, ministri nuk është për autoritet moral, por është niveli i parë i përfaqësimit të popullit dhe s’ka të drejtë t’u drejtohet me mënyra të tilla njerëzve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat