Gjakovë: Në vitin 2014 janë shënuar 502 raste penale

Kosova

Gjakovë: Në vitin 2014 janë shënuar 502 raste penale

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 14:53

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, sot ka mbajtur mbledhjen e parë për vitin 2015, e cila është kryesuar nga nënkryetari i Komunës, Ramadan Hoti. Pas miratimit të pikave të rendit të ditës, nënkolonel Faton Alija, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare në rajonin e Perëndimit, ka prezentuar të dhënat e kësaj drejtorie, ku ka bërë të ditur se kjo drejtori ka nën kontroll 276 kilometra katrorë, dhe se gjatë vitit 2014 kanë qenë të raportuara 502 raste, si kalimi ilegal i kufirit, armëmbajtje pa leje, trafikimi të substancave narkotike, etj. Ndërkohë, gjatë muajve janar dhe shkurt të këtij viti zona e përgjegjësisë është stabile, përfshirë edhe mosshfaqjen e dukurisë në këtë rajon të migrimit ilegal, si në pikat tjera kufitare me Serbinë.

Ndër rastet e prezentuara nga nënkolonel Faton Alija ka qenë edhe prezentimi i rasteve të prerjes ilegale të drunjëve në zonën kufitare. Synimet e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare në këtë zonë të përgjegjësisë është edhe hapja e pikës kufitare në Kuçishtë, në kufi me Malin e Zi, ndërtimi i objektit të ri, pasi ai aktuali është i vjetëruar dhe nuk i plotëson kushtet. Për punën e suksesshme të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare në zonën perëndimore, nënkolonel Faton Alija ka falënderuar edhe zyrtarët e lartë të Komunës së Gjakovës për mbështetjen e dhënë.

Nga anëtarët e KKSB-së ka patur edhe kërkesa tjera sqaruese, si funksionimi i doganave në Qafë Prush dhe Qafë Morinë, ku nënkolonel Faton Alija ka sqaruar se doganat janë funksionale prej orës 8:00 deri në ora 20:00. Duke trajtuar edhe më tej çështjen e këtyre doganave, nënkoloneli Faton Alija ka pohuar se qëllim është edhe vënia e sistemit të kamerave për mbikqyrje të përhershme. Edhe çështja e lypsarëve që dyshohet se vinë në mënyrë të organizuar nga Shqipëria ka qenë sqarimi tjetër i nënkolonelit Faton Alija, ku tha se janë marrur masat e duhura dhe ka raste që në bashkëpunim me gjykatën disa personave edhe u janë shqiptuar masa të ndalimit të hyrjes në shtetin tonë.

Nënkolonel Ahmet Hasi, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ka folur për riorganizimin e Policisë së Kosovës me rastin e formimit të kësaj drejtorie nga fillimi i këtij viti, ku Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë është funksionale për zonën e përgjegjësisë së saj ku janë të përfshira edhe komunat e Rahovecit dhe të Malishevës. Për këtë arritje, nënkolonel Ahmet Hasi ka falënderuar posaçërisht kryetaren Mimoza Kusari Lila për angazhimin dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme. Në

prezentimin e tij, nënkolonel Ahmet Hasi ka bërë të ditur se ky rajon ka specifikat e veta, duke filluar nga madhësia që është 1109 kilometra katrorë, me 165 fshatra deh tri qytete, me rreth 205.377 banorë. Sipas listës së personelit, ky rajon do të ketë gjithsejt 587 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, nga këta 81 si staf civil. Kurse, ka shtuar më tej nënkolonel Ahmet Hasi, për momentin janë 322 pjesëtarë, prandaj ka mungesë edhe të 124 zyrtarëve policor të uniformuar dhe 41 zyrtarëve civil.

Nënkolonel Ahmet Hasi ka pohuar se ndër qëllimet e kësaj drejtorie është ndërtimi i objektit. Ndërsa, përsa i përket rendit dhe qetësisë publike, nënkolonel Ahmet Hasi theksoi se punën kryesore të qetësisë dhe të rendit po e kryejnë qytetarët me mentalitetin e tyre, të cilët janë më tolerantë, ku është konstatuar edhe me rastin e mbajtjes së protestave, ku Policia e Kosovës nuk ka patur asnjë problem.

Toger Bekim Prenqi, shef i hetimeve në Stacionin Policor në Gjakovë, ka vlerësuar se situata është mjaft e qetë, dhe se ka më pak raste të raportuara dhe më shumë vepra të zbuluara. Dukuri negative në vazhdimësi, toger Bekim Prenqi i ka përmendur rastet e vjedhjeve dhe të vjedhjeve të rënda, si dhe e prishjes së rendit dhe të qetësisë publike, ku ka patur tri raste në rrugën “Mbretëresha Teuta” pranë Kishës Ortodokse. Në këtë pikë është disktuar edhe çështja e qenëve endacak, që si të tillë paraqesin rrezik edhe për sigurinë e qytetarëve. Nga nënkryetari i Komunës, Ramadan Hoti, është bërë e ditur se Komuna është duke punuar në projektin për grumbullimin dhe sterilizimin e qenve endacak dhe se ligjërisht ndalohet asgjësimi fizik i tyre.

Udhëheqësi i Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim, Armend Behluli ka dhënë informatën mbi kthimin e personave të zhvendosur në Mal të Zi, ku gjashtëmbëdhjetë familje po trajtohen si prioritare, prej numrit të përgjithshëm prej njëzet e katër rasteve që kanë shprehur vullnetin e tyre për tu kthyer. Këto kërkesa shtohen vazhdimisht, theksoi z.Behluli, dhe se për gjithë të interesuarit bëhet edhe verifikimi i tyre individual për moshat madhore për implikime eventuale në krime gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë. Diana Çarkaxhia, drejtoresh e Drejtorisë së Arsimit ka dhënë raportin për migrimin e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme të komunës, ku deri në janar të vitit 2015 janë regjistruar të kenë migruar 321 nxënës. Numri më i madh i këtyre të migruarve janë nga shkollat e qytetit, ku më së shumti ka në shkollën fillore “Zekeria Rexha”.

Drejtoresha Diana Çarkaxhia, gjithashtu ka njoftuar anëtarët e KKSB-së, se Këshilli i Evropës, nga java e kaluar ka filluar që për këta nxënës, që llogaritet se do të kthehen, të mbahet mësim shtesë alternativ e cila do të zgjasë deri në muajin qershor. Për këtë qëllim janë dhënë edhe pesë rekomandime, ku nxënësve të cilët kanë imigruar u është bërë e mundshme që gjysëmvjetorin e parë të përfundojnë me sukses, ku të gjithë janë vlerësuar me nota. Kjo u mundëson që të gjithë të kthyerit të kenë mundësi që të vazhdojnë po të njëjtat klasa, nëse kthehen gjatë fundit të marsit. Pastaj, nëse të kthyerit kthehen me vonesë gjatë këtij viti shkollor, po të njëjtëve do tu mundësohet mësimi shtesë. Po të njëjtit nxënës të kthyer do tu mundësohet që të marrin klasën duke iu siguruar teste dhe forma tjera të vlerësimit në mënyrë që tu lehtësohet kalimi me sukses i klasës, si dhe trajtohen nga aspekti traumatik./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat