Gorani: Pa Qeveri të besueshme, s’ka liberalizim të vizave

Kosova

Gorani: Pa Qeveri të besueshme, s’ka liberalizim të vizave

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 13:48

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku për procesin e liberalizimit të vizave ka theksuar se Kosova është në fazën përfundimtare të përmbushjes së rekomandimeve të fundit dhe pasi të ndodhë, pret që edhe Brukseli të njohë këto të arritura dhe t’i shpërblejë në mënyrë meritore qytetarët e Republikës së Kosovës.

Analisti politik Dukagjin Gorani thekson se, këtu nuk bëhet fjalë për atë nëse ‘Kosova i ka plotësuar kushtet’ për liberalizim të vizave, por nëse ‘Qeveria e Kosovës i ka plotësuar këto kushte’. Ai pohon se, për liberalizim të vizave vendosin ministritë e brendshme të BE-së, e jo diplomatët e saj.

“Këto ministri nuk e analizojnë ‘gjendjen e gjithmbarshme’ të popullit të Kosovës por vetë efikasitetin e qeverisë së tij. Sot, ky efikasitet vazhdon të shihet si i pamjaftueshëm. Për më tepër, të gjitha qeveritë kosovare janë konsideruar të paafta për t’i përmbushur kushtet për liberalizim të vizave. Andaj, fajin e vetëm për këtë e ka qeveria – assesi Kosova dhe kosovarët”, thotë Gorani për gazetën “Bota sot”.

Gorani potencon se, tash e sa vjet jemi peng i qeverisë në këtë proces. Skandalet me pasaporta, me sundim të ligjit, me procese demokratike – të gjitha këto e pamundësojnë liberalizimin e vizave.

“Kusht për liberalizim nuk është varfëria apo gjendja e rëndë ekonomike; nuk është as situata në arsim, shëndetësi apo kulturë. Këto nuk i interesojnë ministrive të brendshme të BE-së. Për to, Kosova nuk ka qeverisje të besueshme dhe të ndershme. Përkundrazi, pushteti ynë shihet si prodhues i korrupsionit dhe i pasigurisë në shoqëri. Andaj, derisa të mos krijohet një qeverisje efikase nuk do të ketë liberalizim të vizave”, vlerëson ai.

Ai thotë se, qeveritë e vendeve anëtare të BE-së moti e dijnë se populli i Kosovës është peng i qeverisë së vet në këtë proces.

“Mirëpo, ato nuk kanë zgjidhje për këtë meqë qeveritë tona i zgjedhim vet ne – e jo ata. Madje, duke e pasur parasysh këtë, vendet e BE-së e lejuan në heshtje emigrimin masiv të kosovarëve gjatë muajve të fundit. Kjo për faktin se ato e kuptojnë se kosovarët janë pengje dhe viktima të udhëheqjes së tyre, porse nuk mund ta heqin regjimin e vizave vetëm për këtë shkak”, thotë ai.

Sipas tij, nëse do ta bënin këtë, më së shumti do të përfitonte qeverisja jonë e paaftë dhe e korruptuar.

“Andaj, gjendemi në situatë makabre: në njërën anë, regjimi i vizave nuk mund të heqet me këso qeverisje që kemi. Në anën tjetër, kosovarët nuk mund të mbahen peng përjetësisht për shkak të qeverisjes së tyre të korruptuar dhe të papërgjegjshme. Rrugëdalja prej kësaj është ndërrimi rrënjësor i pushtetit dhe i mënyrës së qeverisjes në Kosovë. Por, këtë duhet ta bëjnë vet kosovarët e jo Bashkimi Evropian. Derisa të mos arrihet kjo, mendoj se do të mbetemi të ngujuar për afat të pacaktuar”, thotë analisti politik Dukagjin Gorani.

Në anën tjetër, Blerim Burjani, thekson se, kjo që ka thën Ministrit është politik, fraza dhe recital politik që nuk pasqyron asgjë si të arritur.

“Ministri përkthyes vazhdon edhe më tutje me fjalë boshe dhe jo profesionale me fjalë të tilla dhe retorike të tilla të njerëzve përkthyes nuk arrihet, duhet të plotësohen kritere ekskluzive teknike, kjo ministri prej vitit 2010 është shfrytëzua për të kënaq apetite servile, nuk është e rastësishme kur ish ministrja Çitaku lëshoj postin e deputetit dhe u emërua ambasadore. Pas eksodit ne jemi edhe më larg prej liberalizimit të vizave, në aspektin teknik janë kthyer përgjigje KE, sepse është obligim këtu përfundon lëvdata e këtij ministri. Pra ne jemi edhe me larg në këtë temë”, thotë analisti politik Blerim Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat