Hyseni, vizitë në Itali

Kosova

Hyseni, vizitë në Itali

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 08:57

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës Skender Hyseni po qëndron për vizitë zyrtare në Itali.

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, z. Skender Hyseni gjatë qëndrimit në një vizitë zyrtare në Itali, është pritur dje në Romë nga z. Angelino Alfano, ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Italisë.

Në një takim të gjatë, përmbajtjesor dhe shumë miqësor, dy ministrat kanë biseduar dhe kanë trajtuar një varg çështjesh të interesit të ndërsjellë, në funksion të forcimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Itali.

Duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Italisë në rrafshin e sigurisë dhe rendit e ligjit, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, z. Skender Hyseni ka shprehur falënderimin e tij për përkrahjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Kosovës në të gjitha rrafshet e shtet-ndërtimit, dhe sidomos tani për bashkëpunimin e ngushtë midis dy shteteve për tu përballuar me sfidat e shumta në rrafshin e sigurisë dhe rendit.

Dy ministrat biseduan në hollësi për krimin e organizuar ndërkombëtar dhe masat dhe veprimet që duhet bërë për luftimin efikas të tij. Koordinimi ndërkombëtar dhe këmbimi i informatave është thelbësor në këtë plan, u tha në takimin e dy ministrave. Ata u pajtuan që Italia dhe Kosova të bashkëpunojnë ngushtë në luftimin e krimit.

Migrimi ilegal drejt zonës Shengen i qytetarëve të Kosovës ishte poashtu temë e bisedës midis ministrit Hyseni dhe ministrit Alfano. Ministri Hyseni nënvizoi se Kosova nuk duhet të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkan dhe liberalizimi i shpejtë i vizave është në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat po përballen me fluks të madh të migrimit të kosovarëve. Qeveria e Republikës së Kosovës në anën tjetër do të adresojë në afat të gjatë shkaqet e migrimit ilegal, tha ai.

Çështje tjetër e veçantë që u trajtua nga dy ministrat ishte edhe terrorizmi global dhe ekststremizmi i dhunshëm. Kosova dhe Italia do të bashkëpunojnë ngushtë në përpalljen dhe luftimin e këtyre të ligave që tejkalojnë kufijtë nacional të shteteve veç e veç.

Ministri Alfano falënderoi ministrin Hyseni për vizitën dhe shprehu mirënjohjen e tij të thellë për marrëdhëniet e afërta midis dy shteteve, duke theksuar gatishmërinë e tij dhe të Italisë për të bashkëpunuar edhe më tutje në çështje tjera me interes të veçantë, sikurse është terrorizmi global dhe ekststremizmi i dhunshëm.

Ministri Hyseni kërkoi përkrahjen e mëtejme të Italisë edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe avancimit të bashkëpunimit me Europol-in, si dy mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtarë të bashkëpunimit policor. Kosova duhet të anëtarësohet në këta mekanizma sa më shpejtë, sepse kjo i kontribuon paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon, u tha mes tjerash ne takimin e sotëm të dy ministrave në Romë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat