Thaçi: Kosova do e padis Serbinë për gjenocid

Kosova

Thaçi: Kosova do e padis Serbinë për gjenocid

Nga: Mimozë Lakna Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 07:40

(E plotësuar) - Thaçi tha, se Kosova ka filluar të merret seriozisht me përgatitjet për paditjen e Serbisë. Thaçi theksoi, se do të ishte më e vështirë për Kosovën që çështja e Gjykatës Speciale të shkoj në Këshillin e Sigurimit.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati, tha se themelimi i Gjykatës Speciale nuk duhet të ngatërrohet me luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Zëvendëskryeministri i dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Hashim Thaçi, ka falënderuar ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Shqipërisë ndaj institucioneve të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Thaçi, tha se ata kanë diskutuar për takimin e radhës të dy qeverive që do të mbahet më 23 mars të këtij viti.

Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, tha se kanë diskutuar për hapat që janë marrë pas takimit në mbledhjen e dy qeverive.

Ai tha se falë takimit të kaluar Kosova ka pasur pjesëmarrje solide në nismat rajonale dhe më gjerë.

Po ashtu, ministri Bushati, theksoi se ka pasur bashkëpunim më të mirë në fushën e sigurisë duke theksuar se dy vendet po shkojnë drejt në raporti praktik.

Ai theksoi, se bashkëpunimi në fushën e sigurisë është në sintoni të plotë derisa në planin ekonomik planifikohet të bëhet lehtësimi i tregtisë ndërmjet dy vendeve.

Bushati u shpreh se Mbledhja e radhës e të dy qeverive do të ketë efekt edhe më praktik se e kaluara në fushën e bashkëpunimit ekonomik .

Ndërsa i pyetur nga gazetarët rreth formimit të Gjykatës Speciale, Ministri Thaçi tha se tanimë parlamenti ka vendosur me dy të tretat për themelimin e Gjykatës Speciale dhe se Kosova nuk ka pse të frikësohet nga kjo Gjykatë. Ai ka ftuar gjithë spektrin politik në Kosovë, që mbi inatet personale partiake dhe grupore ta vendosin interesin e shtetit të Kosovës.

Ai tha, se vendi duhet të jetë i kujdesshëm për hapat që do t`i marr në ditët në vazhdim sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale. Sipas Thaçit, do të ishte më e vështirë për Kosovën, nëse Gjykata Speciale do të themelohej nga Këshilli i Sigurimit, pasi sipas tij, ky proces do të mund të zgjaste deri në 20 vite.

“Unë respektoj plotësisht opinionet e të gjithëve por nuk dua që ndonjë opinion të përputhet me opinionin e Dik Martit”, theksoi Thaçi.

Sa i përket Gjykatës Speciale, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati tha se Shqipëria shpreh mirënjohjen e popullit të Kosovës në përpjekjet për liri dhe pavarësi duke theksuar, se nuk duhet të ngatërrohet lufta e drejtë e Kosovës me Gjykatën Speciale.
I pyetur nga gazetarët nëse takimi i përbashkët i dy qeverinë, thellon edhe më shumë idenë e bashkimit kombëtar, Ministri Bushati u përgjigj se beson tek e ardhmja e përbashkët euroatlantike.
Ministrat Thaçi dhe Bushati kanë diskutuar rreth takimit të dy qeverive që do të mbahet më 23 mars në Tiranë.

Thaçi: Gjykata Speciale e panevojshme

Thaqi tha se Gjykata Speciale është një çmim që po e paguajme të gjithë dhe të mos e merr askush si personale.

Po ashtu Thaqi tha se Kosova do të ngris padi ndaj Serbisë për gjenocid, dhe qeveria ka filluar ta marr serizoisht këtë punë.

Mustafa priti Bushatin

Ministri i Jashtëm i Shqiperisë ka zhvilluar një takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafen.
Para takimit me kryeministrin, ai u paraqit në një konferencë të përbashkët për media, me homologun e tij, Hashim Thaçin./BS

Edhe Jahjaga priti Bushatin

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ministrin e punëve të jashtme të Republikës së Shqipërisë, zotëri Ditmir Bushati, me të cilin bisedoi për zgjerimin e bashkëpunimit dhe perspektivën evropiane të të dyja vendeve si dhe të rajonit të Evropës Juglindore.

Presidentja Jahjaga dhe ministri Bushati theksuan rëndësinë e përmbylljes së kapitujve në procesin e integrimeve evropiane dhe të thellojnë bashkëpunimin rajonal si një prej kushteve të rëndësishme në rrugën e integrimeve. Të dy bashkëbiseduesit theksuan se është e domosdoshme që Kosova të ruajë hapin e saj në proceset integruese dhe të shtojë angazhimin e saj në fusha të ndryshme, posaçërisht në energjetikë e infrastrukturë, që njëkohësisht janë edhe projekte rajonale.

Presidentja Jahjaga theksoi se bashkëpunimi rajonal është i përcaktuar edhe nga dinamika e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përmes procesit të dialogut që po zhvillohet në Bruksel, dhe tha se rruga evropiane e Serbisë duhet të kushtëzohet edhe nga përmbushja e obligimeve dhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura në procesin e Brukselit.

Ministri i punëve i jashtme i Republikës së Shqipërisë, zotëri Ditmir Bushati theksoi se të gjitha vendet e rajonit, përfshirë dhe Kosovën, kanë perspektivë evropiane dhe ato duhet të thellojnë bashkëpunimin ndërmjet tyre përmes projekteve të përbashkëta, që do të ndihmojë edhe zhvillimin e përgjithshëm të të gjithë rajonit. Ai tha se Shqipëria do të jetë përkrah Kosovës dhe do ta mbështes atë në çdo fushë dhe në proceset integruese.

Thaçi priti në takim homologun nga Shqipëria, Ditmir Bushatin

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në takim homologun e tij nga Shqipëria, Ditmir Bushati.

Ministri Bushati i cili po qëndron për një vizitë në Kosovë, do të takoj edhe kryeministrin Mustafa dhe Presidenten Jahjaga./BS

Kosovë – Shqipëri, bisedojnë sot për takimin e dy qeverive

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, do të qëndrojë sot në Kosovë.

Bushati në Kosovë vjen për tu koordinuar rreth mbledhjes së dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, e cila do të mbahet më 23 mars.

Për të parë se deri ku kanë arritur në realizimin e objektivave të caktuara në mbledhjen e kaluar, Bushati do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme, Hashim Thaçin, kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga.

Bushati do të ketë një takim edhe me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat