Analistët: Hashim Thaçi çmend botën me deklarata të pakuptimta

Kosova

Analistët: Hashim Thaçi çmend botën me deklarata të pakuptimta

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 17 shkurt 2015 Në ora: 12:48

Deklarata e, zëvendëskryeministrit dhe ministrit për punë të jashtme, Hashim Thaçit, se "Kosova kurrë nuk ka qenë më e lirë, ndërsa shtetet e Ballkanit kurrë nuk kanë qenë në paqe me njëra-tjetrën siç janë sot", paraqet shembullin tipik të humbjes së busullës politike dhe orientimit në hapësirën dhe kohën kur jetojmë, vlerëson analisti politik Nehat Hyseni.

Hyseni thotë se, kjo deklaratë bombastike dhe jashtëkohore e jashtëhapësinore e tij flet shumë qartë për humbjen e ndjenjës për realitetin social, ekonomik e politik në të cilin gjendet shoqëria kosovare sot.

“Sikur të kishte deklaruar kështu ndonjë burrë shteti i ndonjë shteti nga fundi i botës, që nuk ka informacion për atë se çfarë po ndodhë sot në Kosovë, disi do të mund të arsyetohej. Por, kur këtë e thotë ish kryeministri dhe kryetari i PDK-së, i cili aktualisht është personi numër dy i Qeverisë, kjo vërtetë është brengosëse dhe tejet shqetësuese”, thotë Hyseni për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, vallë, a ka mundësi që ndokush të jetë aq i verbër dhe të mos shoh se si Kosova po zbrazet për çdo ditë dhe si janë duke ikur masovikishtë njerëzit nga Kosova, duke krijuar eksodus marramendës dhe alarmant, në drejtim të armikut tonë shekullor, Serbisë, pastaj Hungarisë dhe gjithandej nëpër kampet e Evropës.

“Mediat botërore janë përplot me skena trishtuese dhe skajshmërisht komprometuese të ikjes së popullit të Kosovës, kurse Hashim Thaçi ka çmendur botën me deklarata të tilla të pakuptimta. Por, këtu duhet sqaruar diçka. Kjo klasë politike dhe tarafi politik i Hashim Thaçit, vërtetë e ndiejnë veten më mirë se kurrë më parë. Sepse janë pasuruar dhe e kanë privatizuar Kosovën deri në atë masë sa s'ka ku shkon më tepër dhe me vendosjen e koalicionit qeverisës me LDK-në i kanë forcuar pozicionet e veta në institucione e qeverisje, duke u siguruar dhe duke u ndjerë maksimalisht të lirë se askush nuk do i trazoj në të shijuarit të lirisë dhe begatisë marramendëse që kanë krijuar”, pohon ai.

Hyseni deklaron se, elitat dhe oligarkia ekonomike e politike, vërtetë e ndiejnë veten mirë.

“Por, mirëqenia dhe liria e një vendi nuk varet vetëm nga liria dhe mirëqenia e elitave politike. Përkundrazi. Liria dhe demokracia e vërtetë është kur populli ndjehet i tillë. Kurse, tek ne populli është zhgënjyer skajshmërisht, kurse politikanët na bëjnë deklarata të tilla të çoroditura”, vlerëson analisti politik Nehat Hyseni.

Ndërsa, njohësi i proceseve politike, Blerim Burjani pohon se, Kosova dhe regjioni nuk e ka sfidë kryesore paqen por e ka zhvillimin ekonomik, si dhe integrimin ne BE.

“Në Ballkan ekziston një paqe e ngrirë, por ende shumë duhet të punohet për një paqe të qëndrueshme. Kosova bënë pjesë në analiza ndërkombëtare si gjysmë e lirë, ikja e qytetarëve prej shtetit pa marr parasysh motivet, gjendja mbetet dekurajuese. Ikja e qytetarëve për motive ekonomike për një perspektivë më të mirë për fëmijët e tyre. Vlerësohet nga qytetarit si pasiguri për perspektivën e tyre dhe si humbje e besimit në qeverisjen e shtetit”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat