Serwer: Rusia po i hakmerret SHBA-së për Kosovën

Kosova

Serwer: Rusia po i hakmerret SHBA-së për Kosovën

Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 14:13

Analistë dhe studiues amerikanë mbajtën një debat lidhur me gjendjen në Evropën lindore, Azinë qendrore dhe në Kaukaz, në qendrën për studime të avancuara ndërkombëtare John Hopkins në Washington, ku ndër temat e diskutuara ishte edhe ‘karta e presidentit rus Vlladimir Putin mbi precedentin e Kosovës, krahasimi i së cilës me Ukrainën lindore dhe Krimenë u tha se ishte ‘një analogji e pasaktë dhe e çuditshme.’

Daniel Serwer, studiues në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike, tha se Putin ka pohuar vazhdimisht dhe me këmbëngulje që ajo që kanë bërë SHBA në Kosovë vendosë një precedent për atë që po bënë Rusia në Ukrainë.

“Nuk kam asnjë dyshim se atë që po bën Putin në Ukrainë është në një masë hakmarrje për atë që bënë SHBA në Kosovë, kundrejt kundërshtimeve ruse”, tha Serwer, transmeton televizioni publik.

Ai theksoi se pretendimi për një precedent është i bazuar në një analogji të çuditshme, të rrejshme dhe pa asnjë vlerë serioze.

“NATO ndërhyri kundër Serbisë për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga një fushatë e orkestruar e spastrimit etnik, krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Rusia, më anën tjetër, ndërhyri haptazi në Krime, duke marrë territor me forcë ushtarake dhe duke e aneksuar”, tha Serwer.

“SHBA kurrë nuk kërkoi të aneksonte territorin e Kosovës apo t’ia bashkangjes atë në vendi tjetër, një gjë që tani ia ndalon edhe kushtetuta e imponuar ndërkombëtarisht. Ish ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker gjithashtu theksoi se përdorimi i Kosovës si precedent nga Rusia për të justifikuar aneksimin e Krimesë është një sajesë që nuk duhet marrë seriozisht”, tha ai.

Po në qendrën e studimeve të avancuara ndërkombëtare John Hopkins në Washington, më 4 shkurt do të mbahet një diskutim tjetër për Kosovën me ligjërues zëvendëskryeministrin dhe ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi i cili do të flasë me temën “Kosova nga një importues i sigurisë, në një faktor stabiliteti në Evropën Juglindore”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat