Thaçi udhëheq me Procesin e Berlinit

Kosova

Thaçi udhëheq me Procesin e Berlinit

Më: 31 janar 2015 Në ora: 22:48

Më 25 mars, në Prishtinë pritet të mbahet Samiti e Ballkanit Perëndimor. Pritet të arrihen edhe marrëveshje që hapin dyert për investime të reja miliardëshe në infrastrukturën e shteteve ballkanike.

Ky samit ballkanik pritet të mbledh ministrat e jashtëm dhe ministrat e transportit të gjashtë shteteve ballkanike që synojnë anëtarësinë në BE. Gjithashtu, pritet të arrihen edhe marrëveshje që hapin dyert për investime të reja miliardëshe në infrastrukturën e shteteve ballkanike.

Në gushtin e vitit të kaluar, kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi arriti të realizoi një vizitë të cilën e ka pritur me vite, takimin me kancelaren gjermane Angela Merkel. Konteksti ishte Samiti i Ballkanit Perëndimor në Berlin, që i ishte dedikuar krijimit të një baze të projekteve ekonomike me impakt rajonal dhe një investim politik i Berlinit zyrtar drejtuar shteteve ballkanike që pothuajse të gjitha janë të vonuara në procesin e integrimit evropian. Ky Samit në Berlin u shndërrua në Procesin e Berlint dhe është pasuar me një takim në Beograd, ku u diskutua edhe për projektet konkrete që janë me interes në ekonominë rajonale. Sipas ekspertëve, shtetet ballkanike janë të vogla dhe vetëm invetimet në ndërlidhje hekurudhore, energjetike, rrugore në mes këtyre shteteve do ta ndihmonte integrimin ekonomik të tërë rajonit në BE.

E më këtë proces, siç mëson KosovaPress, nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi do të udhëheq me Procesin e Berlinit, duke u bërë nikoqir zyrtar i samitit të ardhshëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Samiti i Prishtinës do të tubojë 6 ministrat e jashtëm, përfshirë edhe vizitën e parë të Ivica Daçiqit, si ministër i Jashtëm i Serbisë. Po ashtu do të mblidhen edhe ministrat e transportit.

Pritet që ministrat e transportit të merren vesh për një marrëveshje kornizë rajonale, ku do të identifikohen projektet me impaktin më të madh ekonomik, në mënyrë që bankat zhvillimore dhe BE-ja të fillojnë një cikël të ri investiv. Ekspertët e angazhuar në këtë proces, thonë se priten diku rreth 3-4 miliardë euro mjete të freskëta investive në projekte të madhësive të ndryshme – nga autostrada Adriatik-Jon, që lidh Kroacinë dhe Shqipërinë nëpërmjet Malit të Zi, deri tek lidhja e autostradës “Ibrahim Rugova” nga Prishtina për në Nish, ku Kosova fiton dalje në Korridorin e 8 evropian. “Projektet hekurudhore janë po ashtu në fokus dhe këtu pritet Kosova të jetë në qendër të interesit për lidhje që do të mundësonin lidhje hekurudhore për në portin e Tivarit, por edhe të Durrësit, duke rritur kështu mundësitë transportuese të mallrave kosovare”, thonë burime të Kosovapress’it, që janë pjesë e organizimit.

E veçanta e këtij Samiti në Prishtinë, sipas tyre, është se pritet edhe ardhja e Komisionarit Hahn në Prishtinë. Paraardhësi i tij, Stefan Fule, ishte një ndër ideatorët e Procesit të Berlinit, ndërsa tash Hahn pritet të merr stafetën e mbajtjes së interesit të BE-së në procesin e zgjerimit. Samiti i Prishtinës është para pwrgaditja kryesore para Takimit të Vjenës, ku kancelari austriak dhe kancelarja gjermane do të jenë nikoqirë për krerët e shteteve ballkanike.

Burimet nga MPJ e Kosovës thonë se tashmë kanë filluar pregaditjet intensive që çdo gjë të shkojë në rregull në Prishtinë dhe që Kosova të përfitojë maksimalisht. Edhe Ministria e Transportit tashmë është e njoftuar dhe po prgatit planet konkrete prezantuese.

Pritet që Samiti të mbahet në njërin nga hotelet e Prishtinës me formulën e zakonshme gymnih, pra pa flamurë kombëtarë. Kjo formulë përdoret në takimet e formateve të tilla kur janë prezent edhe Bosnja dhe Serbia, si shtete që nuk njohin Kosovën. Megjithatë, është e qartë se vizita sidomos e Daçiqit do të sjell interes medial.

Derisa Daçiq ka vizituar edhe më herët Kosovën për festa fetare dhe në kapacitet privat, kjo do të jetë vizitë në postin e tij të ministrit të Jashtëm dhe atë me ftesë të homologut të tij, Hashim Thaçi.

Tashmë edhe mediat kryesore ndërkombëtare kanë përgatitur ekipet mediale që do ta mbulojnë këtë Samit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat