Muaji janar ka peshë të veçantë në historinë tonë kombëtare

Kosova

Muaji janar ka peshë të veçantë në historinë tonë kombëtare

Më: 31 janar 2015 Në ora: 16:50

Sot, me rastin e shënimit të 18 vjetorit të rënies së Heronjve të Kombit, Zahirit, Hakifit dhe Edmondit, vura kurora lulesh pranë lapidarit në Pestovë të Vushtrrisë.

Në Akademinë përkujtimore, të organizuar me rastin e 18 vjetorit të rënies së Heronjve të Kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, mbajta këtë fjalë rasti, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, kryeparlamentari Veseli.
Ai ka thënë se muaji janar ka një peshë të veçantë në historinë tonë kombëtare. Është muaji i humbjeve të mëdha dhe rënieve të mëdha.

Lexoni postimin e plotë:

Është Janari i vdekjes së heroit tonë kombëtar- Skënderbeut.
Janari i vdekjes së Ismail Qemalit- strategut të Pavarësisë së Shqipërisë dhe rënies së ushtarit të parë të saj, Isa Boletinit.
Është janari i rënies së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. Janari i rënies së Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës.
Kësaj plejade të rënieve të mëdha u bashkohen edhe tre emra të shquar të luftës sonë për liri: Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Vitet ‘90 të shekullit të kaluar ishin vite të rënda për Kosovën. Shtypja dhe terrori shtetëror i regjimit të atëhershëm serb nuk kishte te ndaluar. Ai nuk mjaftohej me nënshtrimin fizik të popullit të Kosovës. Ai donte të nënshtronte edhe shpirtin tonë dhe kështu të shuante njëherë e përgjithmonë vullnetin për liri.
Në ato rrethana të vështira shumë djem e vajza të Kosovës, nga Llapi e Drenica, Dukagjini e Anamorava, vendosën të mposhtin frikën dhe të nisin punën për t’i dhënë jetë një organizimi çlirimtar, që mori emrin Ushtri Çlirimtare e Kosovës.
Në mesin e tyre ishte edhe Zahir Pajaziti. Zahiri ishte luftëtar i orëve të para të rezistencës së armatosur kundër regjimit represiv serb.
Dhe kjo nuk ishte rastësi. Karakteri i tij i fortë, guximi i pashoq, fuqia e organizimit, ishin kto virtyte që natyrshëm e vendosën atë në ballë të celulave të para të rezistencës sonë. Aksionet e tij të shumta, në Llap e pjesë tjera të Kosovës, në njërën anë po e trondisnin aparatin policor serb, e në anën tjetër po ngrisnin moralin tonë për t’i dhënë jetë kryengritjes për liri.
Dhe regjimi represiv serb nuk mund ta duronte këtë. Nga fillimi i vitit 1997 ky regjim vendosi sistemin e postblloqeve nëpër rrugët e Kosovës dhe pritat e natës për të goditur djemtë e Kosovës.
Me 31 janar 1997 në njërën nga këto prita ranë edhe Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Ishte një humbje e madhe për ne, për Lëvizjen çlirimtare në gjithë Kosovën, sepse humbëm një luftëtar dhe organizator të pashoq.
Por, të gjithë popujt që besojnë në lirinë, rëniet e mëdha i kthejnë në burim frymëzimi për të, për të ecur përpara.
Kështu ndodhi edhe me rënien e Zahir Pajazitit.
Bashkëluftëtarët e tij nuk u tërhoqën, ata u bashkuan edhe më shumë, i shtuan radhët edhe më shumë dhe vetëm një vit më pas me rënien heroike të Adem Jasharit në Prekaz, nisi lufta e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo luftë, kauza e saj e drejtë, e vunë në lëvizje gjithë botën demokratike, Aleancën e saj ushtarake, dhe në qershor të vitit 1999 regjimi represiv serb u dëbua nga Kosova. Atdheu ynë i dashur u bë i lirë.
Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në shumë raste e kanë quajtur “Guerilja më e suksesshme në histori”. Është e tillë sepse themeluesit e saj ishin shembuj të pashoq trimërie e patriotizmi.
Të tillë ishin Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Lavdi të përjetshme dëshmorëve të Kosovës!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat