Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, përmes një letre të hapur i është drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të AAK-së, Ramush Haradinaj, duke i njoftuar për papërgjegjësinë e këshilltarëve të këtyre dy subjekteve politike në Kuvendin Komunal të Gjakovës.
Në letrën e saj të hapur, drejtuar liderëve të VV-së dhe AAK-së, kryetarja Kusari-Lila shkruan se aktivistë të shoqërisë civile në Komunën e Gjakovës kanë mbledhur 14,000 nënshkrime për të përkrahur kallëzimin penal për ministrin e Qeverisë së Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq i cili ofendoi Nënat Gjakovare.
Ajo tha së në mbështetje të peticionit të qytetarëve u synua të jetë edhe Asambleja Komunale, por kuvendarët e këtyre dy subjekteve politike kanë lëshuar seancën e Kuvendit.
Më poshtë, lexojeni të plotë letrën e hapur të Mimoza Kusarit, dërguar Kurtit dhe Haradinajt:
“Letër e hapur për Kryetarin e VV-së, z. Kurti dhe AAK-së, z. Haradinaj,
Të nderuar Kryetarë Kurti dhe Haradinaj,
Partitë tuaja respektive janë pjesë e Asamblesë Komunale të Gjakovës, në opozitë.
Jo rrallë, ndodh që propozimet e ekzekutivit vetëm pse janë të pozitës, refuzohen me mllef dhe debate të shumta.
Ne e kuptojmë shpirtin opozitar dhe domosdoshmërinë e reagimit për një demokraci të shëndoshë.
Por, ajo çfarë ndodhi dje në Asamblenë Komunale në Gjakovë nuk tregon për respektim të shtetit, të demokracisë, të njëtrajtshmërisë të politikave tuaja në nivelin qendror dhe lokal.
Më lejoni të ju informoj se aktivistë të shoqërisë civile në Komunën e Gjakovës kanë mbledhur 14,000 nënshkrime për të përkrahur kallximin penal për ministrin e Qeverisë së Kosovës, Aleksander Jabllanoviq i cili ofendoi Nënat Gjakovare.
Të gjithë pa dallim jemi të bindur se as moralisht, politikisht apo ligjërisht, ai njeri nuk e meriton të ulet në karrikën e Ministrit të Qeverisë dhe duhet të shkojë sa më parë.
Ju dy bashkë jeni pjesë e protestave ku u lënduan shumë qytetarë dhe policë, u rrahën në mes vete vëllezrit e një gjaku, në njeren anë policët dhe në anën tjetër protestuesit. U dëmtua sheshi dhe shumë prona private, vetëm e vetëm për t’ja rikujtuar Kryeministrit Mustafa se mban një njeri në kabinet i cili ka humbur çdo lloj kredibiliteti për të qenë aty.
Në Komunën tonë në mbështetje të peticionit të qytetarëve u synua të jetë edhe Asambleja Komunale. Pata vullnetin e plotë dje të nxjerrim në votim dhe unanimisht të përkrahim kallximin penal për ministrin e degraduar. Është obligim dhe detyrë e jona që të fillojmë të shënojmë gjurmët e atyre që shkaktuan aq shumë dhimbje.
Megjithatë, për çudi, asambleistët e dy partive tuaja lëshuan sallën për të humbur kuorumin dhe për të mos e mundësuar votimin për një ri votim të vendimi,t i cili do të lejonte investimet e KEDS-it në Komunën e Gjakovës.
Aq larg shkoi situate sa asamblestja më e re nga radhët e VV-së e betuar dje në seancë, doli në foltore dhe përdori gjuhën e rrugës: “Ne nuk jemi ku.v. për të ndërruar mendim sa herë që i teket Kuvendit”. Na kërcnoi edhe me protesta para Kuvendit Komunal.
Z. Kurti unë nuk e di se çfarë liste prioritetesh keni ju në lëvizjen tuaj, por ofendimi, sharja, fyerja dhe kërcnimi me protestë për çdo vendim ligjor në Asamblenë Komunale është i tepruar. Për një ofendim të tillë Gjakovarët mblodhën nënshkrime për kallxim penal të një ministri. Nuk e kemi në traditën dhe kulturen dhe as praktiken e deritshme të Kuvendit të përdoren këto fjalë dhe kjo gjuhë në Asamblenë Komunale.
Për informatën e juve dy liderëve, mos votimi dhe largimi nga salla e asamblistëve tuaj dje, do të vonojë investimet në përmirësim dhe zgjerim të rrjetit në katër zona në qytetin e Gjakovës si dhe në fshatrat: Cërmjan, Ponoshec, Popoc dhe Nivokaz.
Ju thërras ju dyve të ju spjegoni banorëve të Komunës tonë mospërgjegjësinë e asmblistëve tuaj. Ju thërras juve dyve të na spjegoni pse për Jabllanoviqin e “kallim” shtetin, por në Gjakovë as në sallë nuk qëndroni deri në fund të votoni përkrahjen për kallximin penal për këtë Ministër.
Na spjegoni pak, pse nuk mbështetet kallximi penal për Ministrinë në Komunën ku krejt filloi? Gjakova protestoi e qetë, ashtu sikur protestohet, të gjithë e përkrahen pa dallim partie politike, shtrese shoqërore apo përkatësie fetare. Kryeministrit të Kosovës nuk i pëlqeu kjo përkrahje dhe më sigurinë më të madhe do të ndiejmë sanksionet nga Kryeministri në mospërkrahje të projekteve, por tani pse bllokoni JU dy partitë opozitare lokale? Tash prapë të vuajë qytetari i Komunës së Gjakovës se parimisht do të votojë për vendim i cili përmirëson jetën e tyrë, vetëm se kjo nuk është në përputhshmëri me politiken tuaj në qendër? Apo ju mjaftoi Gjakova të nxitni diçka që juve do të ju duhet për pushtetin në qendër dhe Gjakova dhe Gjakovarët do të vazhdojë njejtë me hallet e veta, për momentin nuk ju duhen më juve dhe partive tuaja.
Ju mund të mos përgjigjeni asnjëri. Mund të më nënçmoni sikur Kryeministri Mustafa me fjalët “të shiqoj punët e mia”, por asgjë nuk do të ndryshojë situatën në terren. Fjalë do t’i merr era, Gjakova do të vazhdojë të heq për rrjet më të mirë energjetik, Jabllanoviq do të mbetet edhe pak kohë në Qeveri e ju do të bëni politika madhore.
Ndjesë për shqetësimin, por besoj se politika madhore duhet të përkthehet edhe në detyrat dhe obligimet institucionale të cilët gjithë i kemi dhe mbajmë përgjegjësi për to dhe jo vetëm në protesta në rrugë. Në Kosovë ka shumëçka pse të protestohet, por edhe punët në institucione duhet kryer.
Ju faleminderit për konsideratën!
Mimoza Kusari Lila, Kryetare e Komunës së Gjakovës”, (sic), shkruan Kusari-Lila.