Thaçi: Shkarkimi Jabllanoviqit është përgjegjësi e kryeministrit Mustafa

Kosova

Thaçi: Shkarkimi Jabllanoviqit është përgjegjësi e kryeministrit Mustafa

Më: 31 janar 2015 Në ora: 13:55

Zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, ka thënë se është përgjegjësi e kryeministrit Mustafa për të vendosur për apo kundër shkarkimit të ministrit për Komunitete dhe Kthim Aleksandar Jabllanoviq. Ai i ka dhënë mbështetje partnerit në koalicion, Isa Mustafës, për çfarë do vendimi që merr.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ia ka hedhur përgjegjësin shefit të tij në Qeveri, Isa Mustafës, për një vendim të mundshëm për shkarkimin e ministrit Jabllanoviq.

Në pyetjet e gazetarëve, pas homazheve te shtatorja e heroit kombëtar, Zahir Pajaziti, ka thënë se është përgjegjësi e kryeministrit Mustafa, të vendos lidhur me detyrat e tij që i ka të përcaktuara në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës.

Thaçi ka thënë se kryeministri Mustafa do ta ketë mbështetjen e tij, për çfarë do vendimi që ai merr.

Ndërsa, deklaratat e zyrtarëve shtetërorë serb lidhur me negociatat për kombinatin Trepça, Thaçi i ka quajtur të parëndësishme.

“E ritheksoj edhe nga ky moment jashtëzakonisht i veçantë për gjithë kombin shqiptar se institucionet do të marrin vendimet më të drejta të mundshme në kuadër të respektimit të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve”.

“Natyrisht përgjegjësitë e kryeministrit janë të përcaktuara qartë dhe është në autoritetin e tij kjo çështje.

Kryeministri e ka mbështetjen time në çdo vendimmarrje të mëtutjeshme. Por ne gjithmonë duhet të mendojmë për interesa më madhore”.

“E ritheksoj edhe një herë ajo çka flet Beogradi qoftë për Trepçën qoftë për tjera, krejt janë të parëndësishme për Kosovën”, tha Thaçi, pas homazheve që ka bërë tek shtatorja e heroit kombëtar Zahir Pajaziti, përcjell Kosovapress.
Ndërsa kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë këtyre homazheve, nuk ka zgjedhur të flas për protestën e së mërkurës, por për migrimin ilegal, duke thënë se duhet të kërkojnë përgjegjësi nga Qeveria për këtë.

“Nuk duhet ta kërkojmë fajin tek komshiu, ndoshta ata kënaqen kur shohin shqiptarët duke ikur, por ne duhet të kërkojmë përgjegjësi brenda. Sido që të jetë shihemi të mërkurën në shesh”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat