Thaçi e Kurti me deklarata të kundërta për Trepçën

Kosova

Thaçi e Kurti me deklarata të kundërta për Trepçën

Më: 31 janar 2015 Në ora: 12:31

Pozita dhe opozita sërish kanë dalë sot me deklarata të kundërta për kombinatin metalurgjik Trepça.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se për Trepçën vendosin vetëm institucionet e Kosovës dhe jo Beogradi, i cili ka kërkuar që çështja e kombinatit të sillet në dialogun e Brukseit, transmeton REL.

Në anën tjetër, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nëse nuk miratohet ligji që e bën Trepçën ndërmarrje të veçantë publike, atëherë “nuk do të mbetet asgjë nga Republika e Kosovës si shtet sovran”.

Thaçi dhe Kurti i kanë bërë këto komente pas homazheve për heroin Zahir Pajaziti.

Javë më parë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar me procedurë të përshpejtuar ligjin “për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre”, pasi ka hequr nga rendi i ditës çështjen e pronësisë se kombinatit metalurgjik “Trepça”, në kuadër të diskutimeve për ta shndërruar këtë kombinat në ndërmarrje publike.

Miratimi i ligjit ka siguruar votat e partive të koalicionit qeverisës, por jo edhe të atyre në opozitë.

Çështja e statusit të kombinatit është bërë edhe shkas i protestave të partive politike në opozitë më 27 janar, që kanë eskaluar në përplasje të rrepta ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat