Vjosa Osmani kundërshton Isen, kërkon dialog pozitë – opozitë

Kosova

Vjosa Osmani kundërshton Isen, kërkon dialog pozitë – opozitë

Nga: P.Rudi Më: 30 janar 2015 Në ora: 16:35

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani përsëri ka dalë në kundërshtim me Kryeministrin dhe njëherit edhe Kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, i cili tha se s’ka çka të bisedohet me opozitës përpos në Parlament.

Por përmes një postimi në Facebook, Osmani po kërkon dialog mes pushteti dhe partive organizatore të protestave në mënyrë që të eliminohet dhuna. Madje, ajo i ka bërë thirrje Presidentes të përfshihet në këtë proces.

Ajo ka thënë se është e rëndësishme që në këtë proces të përfshihet edhe Presidentja Atifete Jahjaga, e cila obligohet të ruaj rolin unifikues nëshoqëri.

Sipas deputetes më të votuar të LDK’së, Kosovës po i rrezikohet stabiliteti për shkak të përdorimit të dhunës nga pozita dhe opozita.

"E vetmja zgjidhje është dialogu në mes të Qeverisë, opozitës, shoqërisë civile dhe qytetarëve, për të gjetur zgjidhje të pranueshme në interes të vendit. Vetëm ky dialog mes palëve mund të parandalojë dhunën dhe destabilitetin (përfshirë edhe atë ndër-etnik) që po i kanoset vendit. Pres nga Presidentja e Republikës të luaj rolin e saj kushtetues dhe si faktor i unitetit në vend të kërkojë dialog konstruktiv nga të gjitha palët në mënyrë që të parandalohen trazirat e mëtejme të cilat do t’a dëmtonin interesin e vendit dhe të qytetarëve" ka shkruar Osmani në Facebook.

Më tej ajo ka shkruar se asnjë nga pakënaqësitë që kanë qytetarët nuk mund të zgjidhen me përdorim të dhunës nga cilado palë. Përkundrazi, kjo do të thellojë ndarjet dhe do të nxisë edhe më shumë dhunë e destabilitet./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat