Agjenda e qeverisë ka bërë të mos emërohen zv/ministrat

Kosova

Agjenda e qeverisë ka bërë të mos emërohen zv/ministrat

Më: 30 janar 2015 Në ora: 15:01

Rrjedha e ngjarjeve dhe agjenda e ngjeshur e Qeverisë, sipas zyrtarëve të PDK-së e LDK-së, ka bërë që deri më tani të mos emërohen zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës.

Partnerët e koalicionit mohojnë të kenë probleme sa i përket emrave të zëvendësministrave, por thonë se nuk e kanë pasur mundësinë që të ketë një proces të qetë në emërimin e tyre.

Partnerët e koalicionit ende nuk e kanë diskutuar seriozisht çështjen e zëvendësministrave. Zyrtarët e PDK-së dhe LDK-së thonë se nuk kanë pasur kohë ta diskutojnë me seriozitet këtë çështje. Nënkryetari i PDK-së, Adem Grabovci thotë se rrjedha e ngjarjeve ka pamundësuar një gjë të tillë.
“Është biseduar por jo për zëvendësministra ende ashtu siç kërkon kjo çështje të trajtohet me ngadalësi dhe të bëhet një përfaqësim sa më adekuat. Për shkak të rrjedhjes së ngjarjeve që ka qenë një rrjedhë me intensitet shumë të madh dhe s’kemi pasur kohë të ulemi e të bisedojmë”, tha Grabovci për Radio Kosovën.

Edhe zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi këtë vonesë e arsyeton me agjendën e ngjeshur të ekzekutivit.
“Nuk është se ka ndonjë problem, por thjesht ka qenë agjenda shumë e ngjeshur e Qeverisë që ka pamundësuar proces të qetë në emërimin e zëvendësministrave”, tha Abrashi për Radio Kosovën.

Edhe Grabovci thotë se asnjë problem nuk është sa i përket zëvendësministrave në PDK, ngase ai thotë se PDK-ja është fuqi politike që ka kuadro të mjaftueshme për të emëruar në këto poste.

“Partia Demokratike e ka një përparësi se ka mundësi t’i zgjedh më të mirët ndër më të mirët”, tha ai.

Analistët politikë e kanë kritikuar Qeverinë Mustafa për numrin e madh të ministrave, gjithsej 21, ndërsa edhe vonesa në emërimin i zëvendësministrave, sipas tyre, ka ardhur për shkak të problemeve të brendshme të partive të koalicionit. Analistët thonë se postet e zëvendësministrave nga partitë nuk shihen si poste që nënkuptojnë shtimin e profesionalizmit në ministri, por si poste që kanë të bëjë me akomodimin e militantëve të partive politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat